SPAK ka reaguar menjëherë pas një deklarate nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili pretendoi se Julian Gjoshi, autori i vrasjes së sotme në fshatin Ndroq, ishte liruar tre vite më parë nga prokurori Olsi Dado i cili sot punon në SPAK.
Deklarata e Berishës, që i referohej mesazhit të “qytetarit dixhital”, u pasqyrua në lajmet e disa portaleve, por në reagimin e Prokurorisë së Posaçme thuhet se ajo është “tërësisht e pavërtetë”.
“SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur”, thuhet në reagimin e SPAK.
Julian Gjoshi, autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja, ditën e sotme në Ndroq, ishte arrestuar në vitin 2021 për armëmbajtje pa leje, ndërsa sipas komunikimeve në “SKY ECC”, kunati i tij, Altin Hajri, kishte tentuar t’i lehtësonte pozitën ndaj akuzës.
Reagimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përgënjeshtron deklaratën e sotme përmes të cilës aludohet se prokurori i posaçëm, Ols Dado “ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit”.
SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur.
SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative.
SPAK apelon për një trajtim të përgjegjshëm dhe të balancuar të informacionit nga ana e përfaqësuesve politikë dhe mediave dhe nënvizon se do të vijojë punën pa asnjë kompromis në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së publikut në ushtrimin e funksioneve të tij