Ish-kryeministri Sali Berisha, teksa në Kuvend diskutohej për rezolutën për Kosovën, tha se kryeministri Edi Rama vijon të jetë argat i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Ai theksoi se ata kanë vetëm një qëllim, që të ndajnë Kosovën sipas oreksit serb.
“Unë garantoj shqiptarët se Edi Rama vazhdon si argat i Vuçiçit. Çdo ditë dhe çdo javë e muaj, përpjekjet për zbatimin e projektit të tyre të ndarjes së Kosovës. Ata kanë një qëllim dhe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës, sipas oreksit serb. Sipas projekteve të serbomadhisë”, tha Berisha.
Më tej ai shtoi se “Ky (Rama) ka firmosur diku për të ndarë Kosovën me orekset e Serbisë. Pasi dështoi me ndryshimin e kufijve kaloi tek Ballkani i Hapur dhe doli kreu i juaj, bashkë me Vuçiç në krah paraqiti hartën pa Kosovën. Pra, e vërteta është që 10 vite që jemi në pozicione të kundërta”.
Sa i përket fjalimit të kreut të qeverisë, Berisha u shpreh se lexoi një fjalim të shkruar “fjalë për fjalë dhe rresht për rresht në Beograd”.
“Sot kreu juaj kishte ndërruar fjalim shkruesin. Fjalimi që lexoi këtu para jush, është fjalim i shkruar në zyrat e Aleksandër Vuçiç. Ky fjalim kishte qëllim kryesor në prag të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë të portretizonte si djall me zile kryeministrin e Kosovës, kishte qëllim të mbronte padronin e tij, serbomadhin Aleksandër Vuçiç”, tha Berisha.
Duke folur për kryeministrin Rama, Berisha tha se ideologjia e kreut të qeverisë është e një tradhtari.
“Ideologjia jote është e një tradhtari, e një hajduti, e një banditi. Ideologjia jote është e tëra në kurriz të Kosovës dhe dëmtim të çështjes së saj. Që kur erdhi në pushtet, çfarë bëri. Një çështje të mbyllur në mënyrë përfundimtare ndryshimin e kufijve e hapi në takimin e parë me Vuçiçin. Nga ai e deri më sot janë bërë 13 takime. Ka patur vetëm një çështje në axhendë, ndarja e Kosovës”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se opozitarët do ta votojnë rezolutën.
“Do ta votojmë rezolutën. Shpreh pikë për pikë atë që thotë rezoluta e Kosova, vjen edhe me 2, 3 nene të tjera që nuk janë maksimumi, por përmbysin çdo gjë të politikës që ka ndjekur Edi Rama kundër Kosovës dhe qeverisë së saj”, u shpreh ai.