
Sali Berisha e ka qartësuar tashmë se nuk po bën lista për të fituar zgjedhjet, por për të konsuliduar pozicionin e tij në parti dhe të largojë këdo që ka një fije dyshimi se nuk e ka besnik.
Lista e Tiranës dhe sidomos ajo e Durrësit e konfirmojnë më së miri këtë. Berisha duket se e ka shitur Durrësin që pa nisur gara për aq kohë sa nuk ka në lojë dy prej personazheve me kuotat më të larta në terren, Ferdinand Xhaferraj dhe sëfundmi Igli Cara.
Ferdinand Xhaferaj e njeh Berishën që prej fillimit të viteve ’90 dhe me sa duket e lexoi skemën duke mos pranuar të futet as në primaret e PD, duke ditur që në fund është Berisha ai që cakton listat dhe jo votat e demokratëve. Futja e Floriana Garos me 30 vota në listë të sigurtë dhe mbajtja jashtë e Igli Carës që i ftoi ato duket se i dhanë të drejtë Ferdinand Xhaferrajt që refuzoi të futej në primare.
Situata për PD e Durrësit bëhet edhe më tragjike ku Igli Cara që fitoi primaret duket se nuk do të jetë në listën e sigurtë të qarkut ku Berisha i ka hapur vend besnikëve të tij si Floriana Garo dhe të tjerë, ndërsa ata që bëjnë vërtetë vota mbeten jashtë.
Gazeta Jonë konsultoi të dhënat e KQZ dhe rezulton se Igli Cara dhe Ferdinand Xhaferraj kanë sëbashku gati 13 000 vota personale në zgjedhjet e 2021. Të dy këta janë jashtë listës së PD në këto zgjedhje.
Ndërkohë, Oerd Bylykbashi nuk kalon 3 800 vota personale, kurse Floriana Garo dhe të tjerë nuk janë të testuar fare në zgjedhje.
Duket qartë se Berisha e ka shitur Durrësin dhe tashmë po luan vetëm për të ngritur një listë besnikësh personal. /gazetajone