Blendi Gonxhe hap thesin, tender 160 mijë për propagande

Mazhoranca shpenzon miliona euro për propagandën. Ose më mirë, shpëlarjen e trurit. Një skemë e nisur që nga paraardhësit e tyre në diktaturë, ndërsa sot mjetet janë sofistikuar, pavarësisht se thelbi është i njëjtë; t’u mbushë mendjen njerëzve të thjeshtë se po punojmë!

Një nga eksponentët më të spikatur të propagandës është Erion Veliaj, i cili ka një “ushtri” të madhe të të punësuarve në Bashkinë e Tiranës, të cilët bëjnë filmime, montojnë kronika të gatshme. Madje, bëjnë lidhje direkte me regji, me disa kamera. Ndërkohë, një ish vartës i tij, Blendi Gonxhe, që fitoi “pavarësinë” disa javë më parë nga Lali Eri në tenderin e godinës së DPSHTRR-së, ka filluar me të njëjtin avaz.

Çdo vit, drejtoria e tij tenderon qindra mijëra euro për pajisje dixhitale, me të cilat prodhon kronika dhe i shpërndan në televizione. Madje, mbush edhe rrjetet sociale me lloj-lloj lajmi se “ne po punojmë”. Në dy tendera Gonxhja do të shpenzojë plot 160 mijë euro. Një shumë e frikshme, pasi është vetëm për shpëlarje truri dhe jo për punë konkrete.

Njoftimi i tenderit prej 100 mijë eurosh për qiramarrje foni dhe skenë

Në ditët e nxehta të gushtit, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, ka hapur një tender me objekt “qiramarrje foni dhe stage”. Fondi i këtij tenderi është plot 9.999.917 lekë pa TVSH, ose me TVSH mbi 100 mijë euro.

Kohëzgjatja e marrëveshjes kuadër ose afati për zbatimin e saj është 12 muaj nga data e nënshkrimit të marrëveshjes” thuhet në këto dokumente, teksa mësohet se zarfet e këtij tenderi do të hapen në fillim të shtatorit. Por, për çfarë e do skenën dhe foninë Gonxhja? Ai nuk është këngëtar, të dalë para turmës dhe të dëgjohet zëri i tij. Ku do të performojë? Ndoshta, “teatri” i tij i vetëm janë premtimet e tij boshe se “kemi rritur cilësinë”, apo muzeu i tij retro, i ndërtuar i gjithë me paratë e buxhetit të shtetit.

Gonxhja do të shpenzojë 60 mijë euro për përgatitjen e videove

Por, krahas skenës dhe fonisë, Gonxhja ka hapur një tjetër tender në Agjencinë e Prokurimit Publik. Dokumenti i mësipërm është procedura “shërbime me video animacione dhe promo”.

Kësaj herë, fondi limit i procedurës është 5.957.500 lekë pa TVSH, ose rreth 60 mijë euro të vëna në dispozicion nga të ardhurat e brendshme të Institucionit. Këto të ardhura janë ato para’ që iu merren qytetarëve në sportelet e këtij institucioni.

S’janë të ardhura të brendshme, por të ardhurat që iu zhvaten njerëzve të thjeshtë, që paguajnë disa herë për kolaudimin, taksat e makinës, targat, patentën, lejen e qarkullimit, kontrollin fizik etj, etj. Edhe në këtë rast, kohëzgjatja është 12 muaj, ndërsa ajo që vihet re është se pas skenës dhe fonisë, Gonxhja do të bëjë edhe video të gatshme t’ua dorëzojë televizioneve apo të bëjë lidhje direkte. /boldnews