Nga Andi Bushati
Dy mediave serioze në vendet e tyre, L’Espresso në Itali dhe New York Times, duke hetuar dyshimet për veprime okulte përgjatë fushatave elektorale, u ka dalë përpara Edi Rama.
E përjavshmja e së majtës italiane, i ka kushtuar investigimin që zë dhe ballinën e revistës me titullin “Giorgia, mbreteresha e Shqipërisë”, marëveshjes për hapjen e kampeve të refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër.
I gjithë sfondi i shkrimit, me shpenzime dhe shifra të detajuara, tregon se si qëllimi këtij pakti me kosto mbi 100 milionë euro është që në territorret shqiptare, të cilat Rama i ka kaluar nën sovranitetin italian, të ngrihet flamuri tre ngjyrësh i fqinjëve tanë përpara zgjedhjeve evropiane të fillim të qershorit.
Por kjo qokë për Melonin, nga njeriu që kishte deklaruar publikisht se vendi ynë nuk do të bëhej kurrë strehë për kampe emigrantësh nga shtetet e pasuara, nuk është asgjë përballë asaj që na nxjerr në dritë gazeta prestigjoze amerikane. Duke investiguar për një temë të preferuar të saj, që është përdorimi i pushtetit të familjes Trump për biznese personale, New York Times na tregon se kryeministri ynë po kërkon të lajë me favore të pa imagjinueshme shprehjen “Turpi i njerëzimit”, që pati thënë dikur për Donald Trumpin.
Edi Rama po bën çështë e mundur përmes ish ambasadorit Richard Grenell, lidhjeve të përbashkëta me Vuçiçin, fuqisë financiare të Shefqet Kastratit, për ti dhënë vajzës së Trump dhe dhëndrit të tij Jared Kushner, ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin e Vlorës.
Artikulli shpjegon se si dhëndëri i ish presidentit, këshilltari kryesor gjatë ushtrimit të detyrës nga Trump, kanë ardhur dy herë në Shqipëri dhe janë takuar me Ramën. Se bashkë me ambasadorin Grenell, njeriun më proserb në raportet me Kosovën, i cili rrëzoi qeverinë Kurti kur shërbeu si i dërguar special i ShBA në Ballkan, ata do ndërtojnë edhe në një ish bazë ushtarake pranë Beogradit. NYT kujdeset të theksojë se këto janë prona publike, çka tregon se për investimet e familjes Trump do negociohet me qeveritë, me të cilat Kushner dhe Grenell i kanë pasur lidhjet si pasojë e funksioneve që kanë mbajtur në të shkuarën.
Për gjatë investigimit të kryer nga tre gazetarë, dy prej të cilëve qëmtojnë konfliktet e interesit gjatë fushatës presidenciale amerikane, citohet edhe Robert Weissman, nga Public Citizen, që i cilëson këto marëveshje si shembuj që ngërthejnë tendencat më të këqia korruptive të famijes Trump.
Po i shkruar kështu, sipas këndvështrimit të gazetës njujorkeze, ky është thjeshtë halli i amerikanëve. Ai i qytetarëve të tyre që shohin se si ata që i udhëheqin, përdorin lidhjet politike me dordolecë që drejtojë republika bananesh, për tu pasuruar për veten e tyre.
Ndërsa pyetjet që lindin për ne në Shqipëri janë të tjera. Pse kur L’Espresso gjurmon mashtrimet elektorale italiane, përpara i shfaqet Rama? Pse kur New York Timesheton konflktin e interesit të dhëndrit dhe vajzës së Trump, del po i njëjti? Pse kur kongresmenët amerikanë kontrollojnëliderët që kanë shpenzuar para në hotelin e presidentit Trump, në Uashington, përsëri figuron emri i kryeministrit të vendit më të varfër në Evropë? Pse kur FBI shqetësohet korruptimin e agjentit të saj, sërish rezultati është njësoj?
Natyrisht, si qytetarë globalë, ne mund të na interesojë dyfytyrësia e një post fashisteje si Giorgia Meloni, prirjet për ta shndëruar politikën në allishverish biznesi nga ai që mund të bëhet sërish, sipas të gjitha gjasave, i pari i Amerikës, apo fraxhiliteti i FBI së për tu korruptuar nga dy delinkuentë. Por, brenda botës sonë të vogël, e kemi me detyrim të shtrojmë çështjen: si është e mundur që kryeministri liliput i një vendi me buxhet vetëm 7 miliardë euro, arrin të blejë kë të dojë? Si ka mundësi që ai reket të ndikojë politikën e brendshme italiane dhe të kapërcejë, pa i hyrë gjemb në këmbë, nga klintonët si ikona civilizimi, tek trumpët si turpi i tij?
Përgjigjen për këtë nuk duhet ta kërkojmë as te shprehja që e përdorin shpesh me ironi mbështetësit e Ramës se, “ky qenkërka i aftë të korruptojë gjithë botën”, as tek bjerrja morale e vlerave të perëndimit. Përgjigjen, së pari duhet ta gjejmë brenda nesh, tek lejimi i një sistemi autokratik, tek pranimi i idesë së një vendi me një pronar të vetëm, i cili, për të blerë mbështetje politike jashtë, fal llokma Shqipërie dhe përdor fondet e koncesioneve dhe “investimeve strategjike”. Faji nuk është vetëm i ndërkombëtarëve që blihen, por mbi të gjitha i yni, që kemi pranuar të shesim demokracinë.