Prej disa vitesh, termat blogerë dhe influencues janë bërë pjesë e pandashme e realitetit tonë.

Ata numërojnë me mijëra, shpeshherë edhe miliona ndjekës me të cilët ndajnë rregullisht postimet e tyre rreth gjërave që pëlqejnë dhe ndikojnë që ndjekësit e tyre të marrin pjesë në një aktivitet ose të blejnë produkte dhe shërbime të caktuara.

Së fundmi, blogeret ruse po protestojnë kundër Chanel, pas vendimit të shtëpisë franceze të modës për të bllokuar shitjen e produkteve të saj për klientët rusë jashtë vendit, në rast se ata synojnë t’i kthejnë në vendin e tyre.

Fillimisht, ato shfrytëzuan profilet e tyre për t’u shprehur kundër këtij vendimi, kurse tani po postojnë video në Instagram teksa presin me thikë dhe gërshërë çantat e tyre të shtrenjta.

Aktorja dhe prezantuesja televizive Maryna Yermoshkina, ishte e para që inicioi protestën e saj duke pretenduar se Chanel poshtëron bashkatdhetarët e saj dhe diskriminon njerëzit në bazë të kombësisë.

“Asnjë markë nuk vlen para dashurisë dhe respektit tim për atdheun. Unë jam kundër rusofobisë, si rrjedhojë jam kundër markave që mbështesin rusofobinë. Nëse të kesh Chanel do të thotë të shes atdheun tim, atëherë nuk kam nevojë për Chanel.”

Më pas Yermoshkina i shtyu ndikuesit e tjerë të bënin të njëjtën gjë.