“Çelësi” për të zbardhur disa ngjarje kriminale në jug të vendit, tashmë është në duart e Policisë së Shtetit. 35-vjeçari Luçiano (Albano) Deraj është kapur gjatë një aksioni të zhvilluar ditën e djeshme në Babicë të Vlorës kur forcat RENEA dhe Policia e Vlorës mësynë dje në banesën e tij dhe zbuluan një depo armësh të të gjitha llojeve.
Të gjitha armët janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertizë balistike për t’u ekzaminuar pasi dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale. Dy janë të faktuara.
Nën sekuestro është vënë dhe një snajper, i cili mund të jetë përdorur edhe për ekzekutimin e Gëzim Sinomatajt.
Luçiano Deraj dyshohet se ka lidhje me grupin e Edison Harizajt, që njihet ndryshe dhe si faqedjeguri dhe mbeti i vrarë në një atentat mafioz në Durrës, në vitin 2018.
Pas vrasjes së Harizajt, Deraj dhe anëtarët e tjerë të grupit kanë rënë në sy për afërsinë me Ines Hajrullën, i cili ka rënë pre e disa atentateve së fundmi si pasojë e përplasjeve me rivalët.
Atentati i tretë pë Inez Hajrullën u zbulua në gusht të vitit të kaluar kur Amarildo Nikolli 35-vjeçari nga Shkodra u arrestua në Vlorë teksa lëvizte me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole.
Në pranga më vonë u vu dhe Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj.
Tashmë përballë hetuesve janë tre persona të instruktuar nga dy rivalë, Ines Hajrulla dhe familja Sinomataj.