Central Park është një park urban në Nju Jork, parku i parë me peisazh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por duket se ‘simotrën’ e tij, e ka në Librazhd. Të paktën ngjajnë për nga emri, pasi kryebashkiaku i Librazhdit, Mariglen Disha, me të njëjtin emër ka pagëzuar një hapësirë çlodhëse në qendrën e këtij qyteti.
“Central Park është hapësira më e re në qendër të qytetit të Librazhdit. Deri para një viti kjo hapësirë ishte e mbuluar nga bimësi dhe godina të degraduara. Një investim i Bashkisë Librazhd, tashmë ky park ka të gjitha parametrat e një hapësire çlodhëse për qytetarët me ndriçim, stola, rampa, hapësira të gjelbërta dhe mundësi për zhvillim aktiviteti,”- shkruan Disha me krenari krah pamjeve ku reklamon haoësirën e re të qytetit që drejton.
Ajo që bie në sy në fakt është se kryebashkiaku Disha, të cilin duket se e prin Damian Gjiknuri, përshkron një hapësirë që veç gjelbërim nuk ka, por më tepër i ngjan një vrandoje betoni të rrethuar me disa pemë dhe që për të zbritur në një tjetër shesh betoni, duhet të përshkosh disa shkallë, sërish betoni.
Pra, veç çlodhëse nuk duket kjo hapësirë, sidomos kur shikon se bie dielli kudo dhe ato pemët e mbjella nuk bëjnë hije mjaftueshëm.
A ka ndonjë qytetar nga Librazhdi që do të ulej të digjej në diell, duke pasur parasysh që po afron dhe sezoni veror, për tu çlodhur?!
Nuk na e merr mendja.
Megjithatë, duke qenë se kryebashkiaku DIsha ka marrë guximin ta quajë ‘Central Park’, por i hedhim një sy edhe sipërfaqes. Duke qenë se Central Park në Nju Jork është 843 hektarë, për të pasur një hapësirë të tillë në Librazhd, duke marrë parasysh që ky rreth është 1,102 km² me gjithë fshatra, me një llogaritje të thjeshtë kupton që në këtë zonë s’do të kishte asnjë pallat, por vetëm hapësirë të gjelbër!
Pra, a kemi vërtet një Central Park në Librazhd?