Gazetari Artan Hoxha deklaroi se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kishte marrë garanci se nuk do të shkonte në burg. Hoxha theksoi se detyra e tij tashmë është të dalë gjallë nga burgu edhe pse ka fakte sensitive. Sipas Hoxhës këto fakte dhe prova kishin vlerë kur ai nuk kishte shkuar ende në burg.
“Tahiri mund ta kishte bërë dhe duhet ta kishte bërë këtë gjë. Është ministri më jetëgjatë. Kujtoni ngjarjet që kanë ndodhur në detyrën e tij. Ka qenë brenda ai. Sa kulisa dhe luftë ka pasur edhe brenda koalicionit. Tahiri duhet të kishte marrë masa përpara.
I kishin dhënë garanci që nuk do shkonte në burg. Tani është në kontroll 24 orë. Detyra e tij është të dalë gjallë nga burgu. Nuk mund të flasë nga burgu për gjëra që nuk i foli kur ishte jashtë. Sot Saimir Tahiri është njeri i dënuar. Pasi të mbijetojë në burg mund të bëjë llogaritë nëse ia vlen të bëjë një betejë apo jo. Tahiri ka prova dhe fakte sensitive por kjo vlente pa shkuar në burg. Tahiri nuk e mendonte kurrë se mund të arrestohej”, tha Hoxha.
Hoxha tha se Tahiri ishte veshur hollë natën e arrestimit pasi kishte sigurinë që nuk do përfundonte pas hekurave.
“Avokati tha se politikanët duhet të vishen trashë por vetë Tahiri ishte veshur hollë pasi nuk e kishte menduar se do shkonte në burg. Çështjet teknike janë vetëm për kuriozitetin e njerëzve. Tahiri është qytetar që duhet të vuajë dënimin. Me aq sa kam informacion fillimisht u tha se do shkonte në burgun e Fierit.
Sot është folur për Rrogozhinën. Ai do jetë në burg të sigurisë së zakonshme. Kryesisht aty ka të dënuar për kanabis. Se ata me drogëra të forta dalin. Ka të dënuar që rrinë të vetëm. Ajrimin e bëjnë vetëm pa kontakt me të dënuarit e tjerë. Për rastin e Tahirit do flasë ministria e Drejtësisë. Tahiri do jetë në një ambient ku mund të mos ketë kontakt me të tjerët”, deklaroi Artan Hoxha.