Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta këtë të shtunë me temperatura të larta i dërgon një mesazh Edi Ramës duke e kthyer gati 40 vite më parë.
Ish-presidenti ka postuar faqen e revistës “Në shërbim të popullit” ku një nga shkrimet shoqërohet me karikaturën që kishte bërë kryeministri i sotëm në 10 tetor 1983.
“Partia e Punës e kishte Edi Ramën karikaturistin e preferuar të shkrimeve propagandistike kushtuar Sigurimit dhe spiunazhit.
Ndërsa Partia Socialiste e ka Edi Ramën, Kryetarin e bandës së inceneratorëve.
Pikërisht këtu do të fokusohemi dhe ne për të zbardhur grabitjet e tij galopante dhe për t’i dhënë ndëshkimin e merituar.
Në foto: 📷 (Karikatura e Edi Ramës në revistën “Në shërbim të popullit”, 10 tetor 1983)” shkruan Meta.
Pak ditë më parë, një vorbull u ngrit në media dhe politikë pas letrës që i dërgoi Autoriteti i Dosjeve Kuvendit me pretendimin se kishin zbuluar që Ilir Meta kishte qenë sigurims.
Për këtë, Ilir Meta tha se pas sajimit qëndron Edi Rama.