Xhemal Loka është dënuar me 10 vite burgim nga gjykata e Durrësit, pasi u shpall fajtor për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së gruas së tij Bedrie Loka dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë gjykimit ku janë dëshmuar edhe fëmijët e çiftit, rezulton se shkaku që e ka shtyrë Bedrie Lokën të vetëhelmohet në banesën e saj më 2 janar të 2024 ka qenë dhuna fizike dhe psikologjike që ushtronte ndaj saj bashkëshorti.
Xhemal Loka ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por prokurorja Pranvera Gruda e ka kundërshtuar kërkesën dhe gjykata e ka rrëzuar më pas atë.
Pandeli, Xhimi dhe Mahmut Bushi, tre vëllezërit e viktimës kanë deklaruar se motra e tyre ka ndërmarrë aktin e vetëflijimit për shkak të dhunës sistematike që bashkëshorti i saj, ushtronte që prej vitit 2000.
Kundër babait kanë dëshmuar edhe fëmijët, të cilët kanë shpjeguar dhunën barbare që Xhemal Loka ushtronte ndaj nënës së tyre.
Njëri nga fëmijët ka deklaruar se një natë përpara se nëna të vetëhelmohej ka debatuar me babain për disa orë më radhe.
“Babi nuk e lejonte mamin që të vizitonte nënën e saj. Ata patën një debat të fortë me 1 janar që zgjati nga ora 19 deri në orën 23”, ka dëshmuar djali.
Ai ka thënë po ashtu se babai e kërcënonte nënën edhe në telefon, madje në një rast I ka thënë: “Unë ty do të bëj të vrasësh veten.” Djali i vogël ka realizuar edhe disa video kur babai e dhunonte Bedrien, e kërcënonte dhe ofendonte.
Vajza e vetme e familjes ka pranuar se nëna e saj dhunohet e se në një rast ajo i është shprehur se do ti jepte fund jetës pasi ishte e lodhur.
Djali tjetër i çiftit ka rrëfyer në gjykatë një moment, kur babai ka ardhur nga Greqia dhe është konfliktuar me nënën e tij, duke e goditur me shkelma e grushte.
Nisur nga dëshmitë, por edhe të dhënat e tjera të siguruara nga këqyrja e telefonave, gjykata ka arritur në konkluzionin se Xhemal Loka e ka detyruar ti japë fund jetës, pasi ka përjetuar dhunë fizike të mënyrë të vazhdueshme.
Gjatë gjykimit, prokuroria ka konstatuar se Xhemal Loka ka dhunuar edhe fëmijët, të cilët kanë treguar detaje tronditëse sesi ai i trajtonte.
Për këtë arsye është çelur një hetim i ri ndaj Xhemal Lokës për dhunë në familje ndaj fëmijëve të tij.
I pandehuri ndërkohë pretendon se gruaja e tij u vetëhelmua pasi nuk duroi dot presionin që i vinte për shkak se në emër të saj ishte hapur një adresë TikTok dhe ofendohej, gjë për të cilën Bedrie Loka kishte bërë dhe kallëzim në polici.