Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit të sotëm në kampin MEK, në Manzë të Durrësit.
Në pamjet e policisë tregohen momentet kyçe. Që nga bllokimi i automjeteve të policisë nga muxhahedinët tek disa prej rezidentëve që djegin dokumente sensitive. Po ashtu, në ambientet e këtij kampi shihen edhe pajisjet kompjuterike të sekuestruara nga policia.
Më herët, në një konferencë për shtyp, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, bëri dhe një panoramë të objekteve që ishin sekuestruar në këtë kamp.
“Në tërësinë e veprimeve të kryera nga policia, në zbatim të vendimit të gjykatës, janë sekuestruar në cilësinë e provës, të cilat kërkoheshin në vendimin e gjykatës, 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 2 tableta, 3 karte memorie dhe materiale shkresore të bollshme, të cilat u tentuan të asgjësoheshin me djegie nga disa anëtarë të MEK. Prokuroria e Durrësit, ka nisur ndërkohë hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë dhe pengimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës”, tha Rrumbullaku.
Me kërkesë të SPAK dhe vendim të Gjykatës së Posaçme, qindra forca të policisë ndërhynë për të ushtruar kontrolle në kampin Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, ku qëndrojnë prej vitit 2014 muxhahedinët, ose të njohur si opozita iraniane.