Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, në një komunikim për News24, foli për situatën në Partinë Demokratike dhe mungesën e tij në mbledhjen e thirrur nga Gazment Bardhi, e cila u mbajt pak ditë më parë.
Në lidhje me situatën brenda PD-së, demokrati tha se problematika kryesore është përçarja dhe gati ndarja e partisë.
Ndërsa në lidhje me mungesën e tij në mbledhjen e thirrur nga Bardhi, u shpreh se u ndje i ofenduar nga mënyra e ftesës, teksa shtoi se i erdhi vetëm një SMS, disa orë para takimit.
Kreshnik Çollaku, bëri një deklaratë të fortë se opozita duhet të merret me një vendim të aleatëve tanë strategjik, që kanë shpallur ‘non-grata‘ 10 deputetë të partisë socialiste dhe 1 ministër.
“Askush nuk flet dhe askush nuk ushtron presion te kryeministri i vendit, te mazhoranca socialiste. Ka të deklaruar se janë mbi 10 deputetë të mazhorancës të sanksionuar “non grata” vetëm para pak javësh nga një aleat strategjik. Ka anëtarë të kabinetit të qeverisë të sanksionuar “non grata” nga aleatë strategjikë.
Opinioni publik, media, duhet t’i bëjë presion kryeministrit të bëjë transparent se cilët janë deputetët e tij të sanksionuar “non grata” nga aleatët strategjikë, cilët anëtarë të kabinetit qeverisës janë sanksionuar “non grata” dhe ai i mban në pozicione.
Ky është skandali më I madh që ka ndodhur. E në vend të flasim për këtë, flasim për këtë telenovelën brenda PD-s”, tha Kreshnik Çollaku.