Një përplasje verbale mes një grupi të rinj shqiptarë në një lokal në Frosinone të Itali mbrëmjen e djeshme, ka sjellë më pas vrasjen e njërit prej tyre dhe plagosjen e dy të tjerëve.

27-vjeçari, Kasen Kasmi ka mbetur i vrarë ndërsa është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Aldo Moro”, ndërsa kanë mbetur të plagosur dhe dy të tjerë.

Për këtë ngjarje të rëndë policia ka arrestuar 23-vjeçarin Mikea Zeka, i cili është autori i dyshuar i krimit, pasi policia bëri të mundur këqyrjen e kamerave.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim dhe 3 persona të tjerë.

Ngjarja

Gjithçka nisi në ambientet e lokalit “Shake” në rrugën “Aldo Moro” në Frosinoni, ku 4 shqiptarë të ulur në një tavolinë filluan debatin me 5 të tjerë po me origjinë shqiptare të ulur në një tavolinë tjetër.

Pas grindjeve mes tyre, 23-vjeçari Mikea Zeka ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar 10 plumba në drejtim të grupit tjetër, ku një prej tyre kapi në gjoks 27-vjeçarin Kasen Kasmi i cili humbi jetën në vend, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur.

Në rrugën paralele me Via Aldo Moro, policia sekuestroi makinën me të cilën grupi i sulmuesve kishte mbërritur në qendër të Frosinone. Në momentin e të shtënave, në restorant ndodheshin të paktën 50 klientë.