Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për ish-sekretaren e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro.

Togat e zeza vendosën dënimin me 4 vite burg nga te cilat i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënohet me 2 vite e 8 muaj. Po ashtu për Duron u vendos edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtroje asnjë funksion publik.

Duro u shpall fajtore akuzën e korrupsionit me tenderin për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës. Kjo ishte masa e dënimit e kërkuar edhe nga Prokuroria e Posaçme.

Sipas SPAK, Joana Duro, mori ryshfet 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë ‘DRICONS’ për të fituar tenderin. Duro ndodhet në burg që prej 5 qershorit 2023, ndërsa GJKKO nuk ka pranuar që t’i lehtësojë masën. Ajo akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë”.

Ndërsa për specialisten e nivelit të lartë, Laura Shteto SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim. Vladimir Topi, administratori i kompanisë “Dricons” rrezikon 2 vjet burgim, nëse gjykata merr parasysh kërkesën e prokurorit, Dritan Prençi.

Për inxhinierin, Silvi Shehi, organi i Posaçëm i akuzës kërkoi 1 vit e 6 muaj burgim. Të tre të pandehurit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv.