Dështoi me votimin elektronik dhe identifikimin e zgjedhëve, Celibashi harxhon dhe një thes me para me tender për të kuptuar pse nuk punuan pajisjet

Pamjet e punonjësve të KQZ-së që hidhnin në një kamion pajisjet e zgjedhjeve bën xhiron e rrjetit, teksa pati edhe reagime nga krerët e shtetit. Në fakt, ato pajisje që hidheshin pa pikë përgjeshshmërie i kanë kushtuar shtetit shqiptar miliona euro.

Dështoi me votimin elektronik dhe identifikimin e zgjedhëve, Celibashi harxhon dhe një thes me para për të kuptuar pse nuk punuan pajisjet
Dështoi me votimin elektronik dhe identifikimin e zgjedhëve, Celibashi harxhon dhe një thes me para për të kuptuar pse nuk punuan pajisjet

Por, skandali më i madh i KQZ-së ishte mos funksionimi i tyre në zgjedhjet vendore të 14 majit. Mijëra qytetarë iu drejtuan qendrave të votimit, por u vonuan për shkak se këto pajisje identifikimi të kartave dhe pasaportave biometrike nuk funksionuan.

Madje as pajisjet për gjurmët e gishtërinjve. Një paradoks i madh, pasi për to Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpenzoi plot 23 milionë euro.

Ndër qytetarët që nuk votoi dot me këto pajisje ishte edhe vetë Ilirjan Celibashi, ai i cili kishte emrin dhe firmën në fund të tenderëve të shumtë të këtij institucioni. Celibashi priti te qendra e votimit dhe, kur pa se nuk funksionoi, shkoi në godinë.

Ai u rikthye në atë qendër dhe votoi, por u identifikua vetëm manualisht. Por, kur kanë kaluar 3 javë nga ky dështim, ende asnjë institucion ligjzbatues nuk ka filluar ndonjë hetim. Por kush do të hetojë këtë skandal?!

Shpallja e tenderit të KQZ-së që do të “hetojë” dështimin e pajisjeve

Vetë Celibashi! Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hapë një tender për të identifikuar dështimin më 14 maj. Një ironi dhe paradoks i madh i vetë Celibashit, pasi me këtë veprim ai do të shpenzojë para dhe kohë për të “hetuar” veten.

KQZ-ja ka lajmëruar Agjencinë e Prokurimit Publik se ka parashikuar tenderin me objekt “shërbim ekspertimi për verifikimin e shkaqeve të mos funksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik”. Fondi limit i këtij tenderi është 4.500.840 lekë, ose me TVSH mbi 45 mijë euro. Mësohet se Celibashi do të kërkojë shërbime kontrolli dhe monitorimi.

Por kë do të kontrollojë dhe monitorojë? Normalisht veten e tij, pasi në çdo vendimmarrje, shpallje tenderi, fituesi, lidhje kontrate apo fillim zbatimi, është emri i tij në fund të çdo dokumenti. Por, emri është edhe te praktika e firmave private, te raporti i mbikëqyrjeve. Por nëse Celibashi do të hetojë veten, a ka filluar ndonjë hetim nga institucionet ligjzbatuese?! Deri më tani, asnjë institucion nuk ka lajmëruar nisjen e ndonjë hetimi të tillë, pavarësisht se ato pajisje që nuk funksionuan kanë pasur një vlerë prej 23 milionë eurosh. Dhe, me 45 mijë eurot, një firmë private do të “hetojë” dhe kontrollojë Celibashin dhe firmat e tjera.

Natyrisht, që tendera të tillë bëhen që drejtuesit të dalin të palagur dhe faji i mbetet sistemit. Në këtë vend, vetëm një person mund të bëjë gjithçka; kryeministrin, hetuesin, prokurorin, gjyqtarin, bankierin, arkitektin, inxhinierin, gazetarin etj, etj. Ai është Edi Rama, i cili për këtë dështim ka bërë edhe një deklaratë publike.

“Kjo ishte një gjë e rëndë tronditëse për faktin se pajisjet elektronike të identifikimit kanë garantuar një transparencë shumë të madhe. Nuk do e lëmë me kaq këtë çështje aq më tepër kur pamë skenën e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh. Sepse janë investuar miliona e miliona euro të vëna në dispozicion nga taksat e qytetarëve”- u shpreh Rama.

Por, pas zgjedhjeve ku kandidatët e mazhorancës fituan mazhorancën edhe në bashki, Rama e ka “harruar” këtë deklaratë, duke i dhënë “dorë të lirë” Celibashit që të hetojë veten! /Boldnews