Hetimet e ELAS-it vijojnë me ritme të pandërprera në vendin e ngjarjes së vrasjes së shumëfishtë në Lucë ku mbetën të vdekur 6 persona pasditen e kësaj të hënë.

Në vendngjarje, sipas informacioneve, janë gjetur 25 gëzhoja, ndërsa policia është në kërkim të një veture dhe një motoçiklete, të cilat janë përdorur nga autorët.

Të gjashtë viktimat ishin në makinë, e cila mbante targa gjermane, ku njëra prej tyre arriti të dilte prej saj dhe të merrte frymën e fundit në rrugë.

Sipas informacioneve, ngjarja e përgjakshme ka ndodhur në rrugën Arafinos, në afërsi të kryqëzimit me rrugën Arionos në Artemisa, ku persona të panjohur kanë qëlluar një makinë në të cilën ndodheshin gjashtë persona, dyshohet se të gjithë të huaj ku mes tyre edhe shqiptarë.

Sipas informacioneve, policia po heton mundësinë që rasti të ketë lidhje me tregtinë e drogës, ku autorët janë arratisur, sipas informacioneve, me një automjet të zi dhe një motor.