Autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin ka lëvizur me motor pas ngjarjes së rëndë, deri në Bushat.

Kjo e dhënë ka dalë nga këqyrja e kamerave të sigurisë, një proces hetimor që vijon ende dhe nuk është konkluduar për pikën fundore, raporton Tv Klan.

Policia dhe Prokuroria e Lezhës gjatë këtyre ditëve ka sekuestruar dhjetra kamera sigurie, duke ndjekur itinerarin e autorit të veshur me skafandër, maskë antikovid dhe jelek fosforeshent.

Ndërkohë, në pyetje për këtë ngjarje janë marr 5 shtetas si dëshmitarë okular, por edhe persona të tjerë në dijeni të konflikteve të ndryshme që Nikulaj mund të kishte.

Burime pranë grupit të hetimit thanë për Tv Klan se janë ushtruar kontrolle në disa ambiente në Lezhë dhe Tiranë, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, teksa janë vendosur në përgjim disa persona.

Autori, i cili sipas përshkrimit të dëshmitarëve okular ishte rreth 1.90 m i gjatë, me dialekt nga veriu ose Shqipëria e mesme, e ka pritur Nikulajn për 1 orë.

Më pas është futur në lokal dhe pasi ka përshëndetur, e qëllon me armë zjarri pistoletë 7 herë, duke i shkaktuar lëndime në kokë, trup dhe krah.

Grupi hetimor po ndjek disa pista, por duke u përqëndruar në atë të konflikteve të mëparshme të viktimës.