Ruben Saraiva, portugezi që mesditën e 19 prillit, ekzekutoi me armë zjarri në ambientet e lokalit “Coral” në Shëngjin, biznesmenin Ardian Nikulaj, është arrestuar në Marok.

Policia njofton se në bashkëpunim me Interpolin është vënë në pranga “killeri” 28-vjeçar, në qytetin e Rabatit.

Gjithashtu bëhet me dije se pala shqiptare dhe ajo marokene janë duke finalizuar procedurat për të bërë të mundur ekstradimin e tij drejt Rinasit dhe më pas vendosjen përpara drejtësisë.

Saraiva është i fundit i “grupit të vdekjes” që arrestohet”, teksa organizatori Edmond Haxhia dhe anglezët e përfshirë si vëzhgues dhe informatorë në ngjarjen e rëndë, janë vënë pas hekurave dhe procedura e tyre e ekstradimit pritet të realizohet pas një vendimi nga gjykata në Londër.

Njoftimi i policisë

Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.

Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.