Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i vrasësit portugez të biznesmenit dhe politikanit të njohur të qarkut Lezhë, Ardian Nikulaj.

Që prej mesditës së 19 prillit kur kreu vrasjen, Ruben Saraiva ndodhej në arrati, ndërsa protagonistët e tjerë të ngjarjes 4 shtetas anglez dhe Edmond Haxhia që porositi atentatin, ishin arrestuar dhe lokalizuar në Britaninë e Madhe.

28-vjeçari u largua nga territori i Shqipërisë më 20 prill nga pika e kalimit Kufitar të Kapshticës, ku kaloi në këmbë drejt doganës greke ku tregoi edhe pasaportën.

Ai dyshohej se fshihej në Greqi që pas ekzekutimit që realizoi në Shëngjin, por me ndihmën e Interpolit është lokalizuar dhe më pas vënë në pranga nga policia marokene, në një lokal në Rabat.

Mësohet se në momentin e ndalimit, Saraiva ndodhej i vetëm në ambientet e lokalit, në kryeqytetin e Marokut, shtet drejt të cilit dyshohet se është larguar me dokumente false.

Sipas burimeve nga policia, ai u arrestua këtë të hënë. Forcat e policisë i kanë ushtruar një kontroll fizik Saraivës, ndërsa nuk i janë gjetur dokumente false apo armë zjarri me vete.

Tashmë edhe ndaj tij do të nisin procedurat për ekstradim drejt vendit tonë, ku edhe do të përballet me akuzën e vrasjes ndaj 51-vjeçarit, Ardian Nikulaj.