Personi që shihni në foton e mësipërme është shtetasi britanik Harry Simpson, një prej të shpallurve në kërkim për vrasjen e Ardian Nikulajt, mesditën e 19 Prillit brenda lokalit të tij në Shëngjin.

Ai ka patur rolin e vëzhguesit të afërt tek ky krim, teksa rezulton së ka mbërritur në Shqipëri më 11 Prill nga pika kufitare e aeroportit të Rinasit. Harry James Simpson ka shtyrë qëndrimin çdo ditë duke qëndruar në hotelet e Shëngjinit deri pasditen e 19 Prillit. Në 19 Prill, ai ka qëndruar në lokal nga ora 11:33 deri në momentin kur ndodhi vrasja.

Harry James Simpson shihet të konsumojë disa birra, dhe të luajë bilardo me një të mitur. Gjatë kësaj kohe ai shihet të fliste shpesh në telefon duke hyrë dhe dalë nga lokali.

Duke iu referuar prokurorisë angleze CPS, Harry James Simpson, banues në Abbey Wood në Jug të Londrës, ka precedentë penal dhe dënime në të shkuarën.

Në Shkurt të vitit 2015, Simpson, është arrestuar për shitje kokaine më një pastërti prej 89% dhe shitje kanabisi me vlerë 40.000 sterlina. Atëherë 24 vjeç, Simpson po udhëtonte me një makinë tip BMW kur u ndalua dhe u kontrollua nga policia.

Rezultoi se ai po drejtonte një mjet pasi i ishte hequr patenta dhe pa siguracion. Për mos të marrë një dënim maksimal ai pranoi akuzat. Gjykata e dënoi Simpson me 5 vite dhe 3 muaj burg. Paratë ‘cash’ të gjetura në shtëpinë e tij, policia lokale ia dhuroi një organizate të mbrojtjes së kafshëve.