Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ditën e premte u dënua me 3 vjet e 4 muaj burgim. Mbrëmë ishte nata e dytë që ai kaloi në ambientet e paraburgimit “313”-të në Tiranë duke u sistemuar në një nga qelitë e godinave të këtij burgu, por jo për shumë kohë.

Kjo është fazë kalimtare, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të përcaktojë se në cilin burgu do të vendoset ish-ministri për të vuajtur dënimin. Opsionet janë dy; 302-shi ose burgu i Vaqarrit. Gjykata vendosi që Tahiri dënimin ta vuajë në një burg të sigurisë së zakonshme. Dy netët e para ish-deputeti socialist i kaloi në qeli me vetëm një “shok”, që ishin cigaret.

Ish-ministri i Brendshëm u vu nën hetim Nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i Tahirit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi me urgjencë arrestimin e tij, por nuk kishte prova të mjaftueshme. Në Mars organi i akuzës zhvilloi seancën përballë Komisionit të Mandateve ku kërkoi heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Saimir Tahirit.

Në Maj të vitit 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Vendimi u ankimua dhe Gjykata e Apelit në Qershor të vitit 2020, e riktheu për rishqyrtim në Shkallë të Parë. Ankimimi i këtij vendimi në Gjykatën e Lartë, pasoi vitin e kaluar, me prishjen e atij vendimi për shkak të “shkeljeve procedurale” gjatë procesit, dhe rikthimin e çështjes sërish në Apel me një tjetër trupë gjykuese, e cila u shpreh të premten.