Sali Berisha ishte ndër të parët politikan që mbërriti në qytetin e Elbasanit këtë të hënë, në Ditën e Verës.

Ish-kryeministri uroi këtë ditë për të gjithë qytetarët, ndërsa theksoi se kjo do të jetë pranvera e përpjekjeve të mëdha të demokracisë. Mesazhi më i shkëlqyer është bashkimi i demokratëve.

“Gëzuar Ditën e Verës, hirushen e festave tona kombëtare, siç do ta quante Faik Konica. Qytetarët e Elbasanit kanë meritën që mbajtën gjallë këtë festë të mrekullueshme.

Festa e Ditës së Verës është festa e shndërrimeve të mëdha, e lulëzimit, shpërthimit të burimeve, e çeljes së gjithçkaje të mirë. Në këtë kontekst uroj që kjo ditë të sjellë ndërrimin e madh që ata presin me padurim, ndërrimin e narkoshtetit dhe vendosjen e shtetit ligjor.

Kam një urim të përzemërt për ata qytetarë që kanë mbushur rrugët për të protestuar kundër një politike cinike, të pashpirtë, e cila përdor hijet e luftës në Ukrainë për të justifikuar rritjen dramatike të çmimeve.

Kjo do të jetë pranverë e përpjekjeve të mëdha të Demokracisë. Mesazhi më i shkëlqyer është bashkimi i demokratëve. Ka një përpjekje për të stisur një përballje mes votës së lirë dhe blofit, por atyre që e bëjnë këtë do t’u lëmë blofin në dorë”, tha Berisha.