Vrasja e 19-vjeçarit Grei Bihucit në Fier, ka bërë që të afërm dhe miq të tronditem nga humbja e papritur e tij.

Më parë 19-vjeçari kishte qenë edhe futbollist me moshat e reja të klubit dhe ish-trajneri i tij Blendi Vashaku ka prekur me dedikimin e tij për 19-vjeçarin, duke kujtuar stërvitjet që kishin pasur tek Apolonia ku i riu luante si portier.

Postimi i ish-trajnerit:

“Grei qofsh banor i xhenetit!

‘Presor e bëra gabim, a ta përsëris edhe njëherë?

Përsërite Grei

Këto ishin fjalët që më ngelën në kujtimet e mia kur u stërvisnim bashkë tek Apolonia, djalë i mrekullueshëm rrezatonte vetëm mirësi dhe dashuri.

Buzëqeshja që na dhuroje çdo ditë dhe sot nuk do e shikojmë më, na dhemb, e lus Zotin të të bëjë banor të xhenetit”.

I riu ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë. Pasditeve ai punonte kamerier në një bar-pasticeri në Bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi. Grei Bihuci u qëllua ditën e djeshme me thikë nga Florjan Muka në qendër të Fierit. Dyshohet se sherri mes tyre nisi në rrjetet sociale për shkak të opsionit “like” ndaj një vajze dhe më pas degradoi në përleshje fizike. Një versjon tjetër është se sherri ka nisur për thikën, me të cilën u vra 19-vjeçari. Autori 18-vjeçar u arrestua pas ngjarjes dhe u dërgua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Shoku i viktimës Olti Serjanaj, 20 vjeç, mbeti i plagosur gjithashtu dhe ndodhet në spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën.