Modelja e njohur Angela Martini u bë nënë për herë të parë katër muaj më parë, kur erdhi në jetë djali i saj Kyree. Vogëlushi lindi nga një nënë surrogate, por Angela ka treguar se që në momentin që lindi e ka ndjerë lidhjen e fortë me të.
Ditën e sotme në një postim në Instagram, modelja ka treguar se në fakt djali i tyre Kyree ishte ngjizur që në 2018 dhe çifti ka pritur tre vite derisa ka gjetur një nënë surrogate.
“I dashuri im Kyree, që kur linde ti, që në momentin që u krijove, ne i thyem së bashku të gjitha rregullat. Ti je kaq avangard për kohën tënde dhe të premtoj se do të vazhdojmë kështu deri në fund të jetëve tona. Ps. Fakt për të qeshur: Kyree në fakt u krijua përpara verës së 2018. Ai priti si një embrion në ngrirje deri sa filloi udhëtimin me nënën surrogate, gati tre vjet më vonë në 2021”, ka treguar Angela.
Më herët ajo ka thënë se kjo zgjedhje ka qenë për shumë arsye:
“Unë e di se sa e pazakontë është një procedurë e tillë në Evropë për sa i përket ligjshmërisë dhe kulturës. Por në këtë mënyrë ne mund të zgjidhnim gjininë e fëmijës sonë. Ishim në gjendje të bashkonim vezët dhe spermatozoidet tona më të forta dhe më të shëndetshme, duke eliminuar alergjitë, sëmundjet autoimune, rreziqet e kancerit e kështu me radhë”, rrëfeu modelja.