albi mecini

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim Albi Mecinin dhe dy bashkëpuntorët e tij, Arafat Manërkolli nga Dibra, dhe Ervis Cukali nga Tirana, pasi u kapën me 21 kg eksploziv në vitin 2023. Mecini u kap në flagrancë në fshatin Vajkan, të qarkut Fier, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”.

Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë. Ata akuzohen për ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit’ e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha, parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal.

Mecini njihet edhe si ‘ushtari’ i Admir Tafilit. Në Fier, ai dyshohet se ishte nisur të ekzekutonte një nga emrat e botës së krimit. Gjithashtu, Mecini dyshohet të ketë gisht edhe në zhdukjen e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit alias “Koçole”, prej të cilëve nuk ka asnjë gjurmë prej më shumë se dy vitesh.

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq tre shtetasit A.M., E.C., dhe A.M. për ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit’ e kryer në bashkëpunim dhe në sasi të mëdha, parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.1070, i kryer në bashkëpunim me policinë gjyqësore, rezultoi se shtetasi A.M u kap nga policia gjyqësore në flagrancë në fshatin Vajkan, të qarkut Fier, ku kishte lënë mjetin e tij pranë lëndës eksplozive, në një rrugë dytësore pranë rrethrrotullimit përballë qëndrës “Viva” në rrugën për tek vendi i quajtur “Safari”. Ndërkohë që bashkëpunëtorët e tjerë ishin duke u afruar pranë tij me një mjet tjetër pa targa, i trafikuar dhe me shasi të falsifikuar, brenda të cilës u sekuestruan 3 bidona me lëndë djegëse benzinë.

Nga hetimet rezultoi se të tre të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetërin, më datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe trasportuar lëndën eksplozive prej 21 kilogram e 265 gram në qytetin e Fierit. Të pandehurit, janë të dënuar më parë dhe dyshohet se janë përfshirë në ngjarje të rënda. Pas kryerjes së veprime të plota, organi i akuzës ka arritur të provojë se të pandehurit kanë konsumuar plotësisht veprat penale për të cilën akuzohet dhe për këtë shkak ka përpiluar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike. /gazetajone