Ilir Alimehmeti i cili u tërhoq nga gara e primareve të Partisë Demokratike pasi doli në balotazh me Belind Këlliçin, tregoi sot në “Wake-up” rrugëtimin dhe pritshmëritë e tij në politikë.
Alimehmeti tregoi se e gjitha nisi nga ndërgjegjja e fortë siç tha ai, për të ndryshuar diçka në qytetin dhe komunitetin ku sheh të ardhmen. Ai tha se u propozua nga strukturat e PD-së dhe kuptoi se shumë njerëz e mbështetën kandidaturën e tij.
“Vendimi për të marrë pjesë në primare ishte shumë i thjeshtë. Nëse je qytetar në këtë qytet, sheh shumë gjëra që nuk shkojnë. Nuk të lë ndërgjegjja që mund të bësh diçka për këtë vend. Kjo është ndërgjegjja komunitare. Fjala Bashki do të thotë bashkësi. Ta harrojnë që gjërat ndodhin nëse je pasiv, kuptohet brenda mundësive. Pati një shtytje të madhe, njerëzit që mbështetën kandidaturën time. Një numër i madh njerëzish e donin kandidaturën time. Unë u propozova nga struktura në masë të madhe”- tha Alimehmeti.
Për rezultatet e 4-dhjetorit kur u zhvilluan primaret e PD, teksa falënderoi mbështetësit e tij, Alimehmeti tha se përqindja e lartë e votave për dikë që sapo hyri në politikë ishte tregues i qartë se njerëzit donin ndryshim.
“Një falënderim i madh që më mbështetën në atë ditë. Mbështetja ishte aktive. Rreth 8 mijë e 600 vetë erdhën për të votuar, rreth 2 mijë prej tyre më mbështetën mua. Ishte tregues i qartë për ndryshim. Përqindja e njerëzve që kërkojnë ndryshim për mirë është e madhe. Dy figurat e tjera ishin drejtuese dhe të regjur. Nuk është se gara u la përgjysmë. Ne ishim përballë një balotazhi matematikor, por jo politik”- tha Alimehmeti.
I pyetur nga moderator Blendi Salaj nëse mendon se do të ishte më i fortë në garën e 14 majit përballë Erion Veliajt sesa Belind Këlliçi, Alimehmeti tha “po”.
“Mendon se do ishit kandidat më i fortë përballë Erion Veliajt sesa Këlliçi?”
“Po. Prandaj kandidova”- tha Alimehmeti.
Mjeku nuk la pa përmendur edhe sulmin ndaj Sali Berishës tre ditë më parë në protestë, të cilin e cilësoi si atentat.
“Sulmin unë do e cilësoja atentat. Goditja e tillë, në ato rrethana ka gjasë për humbje jete 24%. Duhet të kishim menduar edhe më të keqen për sulmin ndaj liderit historik. Gjithçka është në një dorë të vetme, Këtu është problemi. Ne kemi nevojë për një diskurs më të qetë”- tha ndër të tjera Alimehmeti.