Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti duke folur për situatën e gripit në vendin tonë ka qetësuar qytetarët kur tha se kjo ishte e paralajmëruar dhe se jemi në muajt kur virusi është në kulmin e tij për shkak të të ftohtit.

Mjeku tha se shenjat e gripit janë të forta me temperaturë të lartë që mezi ulet por që kalon pas 3 ditësh dhe me rëndësi është të mos përdoret antibiotik.

“Duke qenë se ne patëm disa masa bllokime, për 2-3 vjet gripi nuk kaloi si do duhet të kalonte e pritej që këtë vit të kishte një situatë më të fortë gripi. Nuk është se ishin të paparalajmëruara. Nga koncepti i trajtimit është ai klasiku, qetësi të ngrohta paracetamol ibuprofen sipas nevojës dhe 2-3 ditë janë goxha të forta me temperatura të larta rebele me zor ulen e në shumicën e rasteve bien brenda 2-3 ditësh.

Ka lënë dhe një kollë të fortë, menduam që vetëm Covid lë efekte por çdo virus respirator ka mundësi të lërë efekte më të gjata por që kalojnë. Me rëndësi të mos dyndeni me antibiotikë se temperatura do kalojë vetë, është me goxha këputje me ethe të forta me djersitje, por moshat më të riskuara mbeten moshat më të mëdha dhe fëmijët. Dhjetor -janari për gripin është maksimumi”, tha Alimehmeti në një intervistë për Euronews.

Ndërsa sa i takon situatës nga koronavirusi, Alimehmeti tha se Covid nuk do zhduket si virus, do ketë një numër të vogël rastesh gjithmonë. Por, sipas tij, fatmirësisht gjendja spitalore shumë e qetë.