Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dha ka çuar për gjykim ish-inspektorin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Ilir Kapetani.
Ish-specialist i shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave akuzohet se ka kërkuar dhe ka marrë përfitime të parregullta, në formën e shumave monetare nga 150-300 mijë lekë të reja, nga qytetarë të ndryshëm dhe nga trashgimtarë të ish pronarëve në këmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
Sipas dosjes hetimore, teksa qytetarët ishin në pritje të marrjes së pronës së tyre kuptuam se ishin mashtruar nga ish-inspektori Ilir Kapetani ndaj i shkruanin dhe e telefononin me qëllim kthimin e shumave që kishin dhënë.
Në dosjen hetimore ku janë edhe përgjimet telefonike, shfaqet Kapetani që komunikon më një qytetar me tone të ashpra, duke e kërcënuar dhe i kërkuar që të mos komunikojë me asnjë për paratë.
“Po shkrove kështu nëpër mesazhe jo lekët, jo stërlekët, do të të thyej celularin edhe hundën, dakort? Kaq po të them edhe një herë … Të kam porositur njëqind herë, mos komuniko fare, as lekë as … Do të të takoj unë ty sot, mirë? Edhe të shohësh ti estradë pastaj, hajt mirupafshim…” thotë Ilir Kapetani.
I pandehuri Ilir Kapetani akuzohet për 22 raste. Ndërkohë, të pandehurit “D.L., A.G., D.D., V.Z., I.L., XH.V., G.T., L.A., J.Z., A.H., V.B., I.K., R.M., L.B., M.I., Y.N. dhe M.SH, të cilët janë subjektet që kanë dhënë përfitimet e paligjshme, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” njofton SPAK-u.
Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të kësaj çështje penale.