Zyrtarisht i pandehur në gjyq. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar në gjyq dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për shpërthimin në Gërdec në 2008 ku vdiqën 26 persona. Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim dhe për shpërdorim detyre në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Konkretisht, SPAK thekson se i pandehuri Fatmir Mediu në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin për procedurën e trajtimit te armeve persa i perket shitjes per çmontim. “Kjo dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k” thotë prokuroria.

Po sipas SPAK-ut, gjatë hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me procedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

SPAK nis hetimet për korrupsion dhe pastrim parash
Lidhur me këtë episod, pas dërgimit të Mediut në gjyq, SPAK thotë se hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal”. Procedimi i ri i regjistruar në ditët e para të këtij viti nuk dihet nëse është bërë para apo pas marrjes në pyetje të djalit të ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha për këtë dosje.