Ipeshkvi i Rrëshenit Dom Gjergj Meta, i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më shpejt vrasjen e kenianes, Joy Aoko dhe autorët të vihen para drejtësisë.

Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se zbardhja e ngjarjes nuk është vetëm çështje juridike, por edhe çështje nderi e dinjiteti e një vendi si Shqipëria, që kërkon që aspiron të jetë evropian.

“E vërteta dhe drejtësia për vajzën keniane, Joy Aoko, nuk është vetëm një çështje strikt juridike dhe profesionale, por edhe një çështje nderi për një vend si ne që aspiron të jetë evropian.

T’i dorëzosh të vërtetën dhe drejtësinë familjarëve të saj, që janë aq larg nesh, me km dhe me kulturë, do të thotë të çosh në vend dinjitetin e një njeriu, kushdo qoftë ai. Zbardhja e ngjarjes nga ana tjetër i bën nder drejtësisë shqiptare dhe ne të gjithëve.”-shkruan Dom Gjergj Meta.