Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të shtunë në Kamëz, ku ka nisur fushatën me Rakip Sulin, si kandidat për Bashkinë. Ai nuk i ka kursyer batutat me banorët, teksa është ndalur dhe të një ndeshje basketbollit, e fituar nga të rinjtë e Kamzës.
“Kamza po çudit gjithë Shqipërinë, me kalamajtë që po fitojnë dhe po rrafin Tironën mendjemodhe të Lali Erit. Ata kalamajtë që lozin atje dhe që rrafin këta tironsit me hundën lart, ata e kanë zjarrin në sy. Ata vijnë nga familje të majta dhe të djathta dhe janë bashkë për Kamzën.
Kam ardhur dhe i kam parë vetë në finalen me Tiranën. Ishin dy skuadra që po t’i shikoje pa lujt, thoshe fitojnë këta të Tiranës. Këta të Tiranës si më të gjatë, ishin më të gjatë, këta të tjerët ishin më të shkurtër. Po ja që fituan të shkurtit në lojrat për të gjatit”, u shpreh Rama.
Më tej, gjatë fjalës së tij ai tha se Rakip Suli ka treguar se ju ka zgjidhur hallet banorëve kur kanë shkuar në bashki, ndërsa kandidatët e tjerë të opozitës, kanë qenë “veshgjatë” dhe i kanë kthyer banorët pas pa jua zgjidhur hallet.
“Këtu është puna për gamorin që do merrni t’ju shërbejë. E doni gamorin me kurriz të fortë siç është ky gamori këtu (Rakip Suli), apo e doni gamorin me dy veshët e gjata? Si e doni? Si e doni?
Doni që kur të shkoni te bashkia t’ju dali para gamori që ja ve drutë sipër dhe i thoni “ec kipe”, apo doni që t’ju dali njoni me ato veshët e gjata ene juve masanej të merrni veshët e të ikni në shtëpi me bishtin ndër shalë. Siç keni qenë në të gjitha vitet, se as ujë e as kanale”, vijoi ai.
Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë në mbyllje të fjalës së tij se nëse ata votojnë kandidatin e opozitës dhe ai merr Bashkinë e Kamzës, atëherë qeveria do të ndërpresë çdo lloj mbështetje.
“Po ju them dhe një gjë tjetër dhe po jua them shumë troç: Kush do fusi gamorin me vesh të gjata në bashki, ta harrojë qeverinë. Ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mundet kurrë të na vënë përpara faktit të kryer, me demek në emër të votës, dhe të na detyrojnë të bashkëpunojmë me individ të shpallur non-grata.”