Azgan Mërnica, autori i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave” në Fier, u vetëdorëzua mbrëmjen e së mërkurës.

23-vjeçari u vetëdorëzua pas negociatave të policisë dhe babait e dajës së autorit.

Mësohet se forcat RENEA e kishin lokalizuar Azgan Mërnicën në një banesë në fshatin Dërmenas dhe kërkuan nga familjarët e tij që të negocionin për t’u vetëdorëzuar, ose ai do të neutralizohej.

Atij iu la afat për vetëdorëzimin ose do të ndërhyhej nga ana e RENEA-s.

Ndërkohë, Policia e Fierit dha detaje me anë të një njoftimi për shtyp:

Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.

Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.

Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t’u vetëdorëzuar.

Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica.