Teksa ndodhet pas hekurave bashkë me djalin e saj, Rozeta Dobi shprehej se kishte urrejtje për punëdhënësen e tij, Alda Klosi, ish-shefe kabineti e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Ky është një ndër detajet që thuhet në dosjen e prokurorisë. 49-vjeçarja akuzohet se ka vjedhur 120 mijë euro para dhe bizhuteri në banesën e Klosit, më 15 dhjetor të vitit të kaluar. Ngjarja ndodhi në Rrugën e Kosovarëve, në një banesë ku Klosi e kishte marrë me qira prej 2 muajsh.

“Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim shtetasit Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldes. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri.

Pasi e ka hapur atë brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500,200,euro dhe 100 dollar, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj.

Deklaron se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi”, thuhet në dosje.