Hetimi i zhvilluar nga prokurorja e Tiranës, Eloida Goxhi, për një rast falsifikimi kompjuterik, nuk është një ndër ato çështjet e rëndomta, kur një djalosh i ri, me aftësi teknologjike, tenton të mashtrojë institucionet publike. Rasti i 20-vjeçarit Ermes Hoxhalli nga Devolli dhe student i vitit të parë në Universitetin e Arteve në Tiranë, është një histori e pabesueshme, e denjë për skenar filmi komik.

Me një telefon në dorë, ai krijoi një identitet të rremë. Nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp”, ai u prezantua në Ministrinë e Arsimit si “Klea Rama”, mbesa e kryeministrit Edi Rama.

Dorëzoi virtualisht një projekt joshës “Let’s Talk About US 2023-2024” një cikël trajnimesh me konkursesh, nëpërmjet të cilit maturantët shqiptarë do të kishin mundësi të vijonin studimet e larta në Shtetet e Bashkuara.

Askush nuk e takoi, askush nuk e verifikoi identitetin e Kleas. Mjaftonte vetëm fakti që ajo përdori kodin “jam mbesa e Edi Ramës” dhe të gjitha rrugët iu hapën si me magji në sistemin arsimor shqiptar, duke nisur nga Kupola.

Një e-mail dhe disa komunikime telefonike gjatë vitit 2023 mes “Kleas” dhe zv.ministres Nina Guga, u pasuan me urdhëra e urdhëresa drejtuar dhjetra gjimnazeve në të gjithë Shqipërinë, për t’u bërë pjesë e “Let’s Talk About US”.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Logo në rrjete sociale i projektit “Let’s Talk About US”

Drejtoritë vendore arsimore dhe drejtoritë e gjimnazeve krijuan borde e caktuan koordinatorë për projektin, organizuan konkurse lokale e kombëtare mes maturantëve, u përzgjodhën fituesit dhe….të gjithë qëndronin në pritje të fjalës së fundit nga “Klea, mbesa e kryeministrit”.

Por fjala e Kleas nuk mbërriti. “Klea”, me emër të vërtetë Ermes Hoxhalli, tashmë kishte rënë në rrjetën e një hetimi penal nga prokuroria e Tiranës, pas një gabimi fatal. Djaloshi, për të bërë më bindës projektin e tij, kishte përdorur abuzivisht kredencialet e një funksionareje të ambasadës amerikane në Tiranë, Amanda R., e duke e paraqitur si koordinatore të projektit.

“Projekti i Kleas” kishte rënë në dijeni të Ambasadës, të cilët vunë në lëvizje të gjithë hetimin. Fijet u tërhoqën dhe në fund të tyre doli emri i Ermesit.

Prokurorja e Tiranës, Goxhi, dërgoi pak ditë më parë kërkesën për gjykim ndaj Ermes Hoxhallit, i akuzuar për “falsifikim kompjuterik” dhe “falsifikim të dokumentave”, ndërkohë që ai gjendet prej korrikut 2024 nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Hetimi penal nuk ka zbuluar arsyen se përse e ka ndërmarrë Hoxhalli të gjithë këtë skenar. E sigurt është që nuk e ka kryer për përfitime financiare. Ndoshta 20-vjeçari ka jetuar nën një identitet të dyfishtë, ku 20-vjeçari Hoxhalli mbante brenda mendjes së tij edhe “Klean, mbesën e kryeministrit”.

Nina Guga: Si e njoha “Klean”

“Kontakti im me personin e prezantuar si Klea Rama është vendosur në datat 15-16 shtator 2023”, thotë zv.ministrja e Arsimit, Nina Guga, në Prokurori.

Guga është kontaktuar nëpërmjet ëhatsapp” nga një numër i huaj, që u prezantua si Klea, e cila i është prezantuar si një studente shqiptare në SHBA dhe dëshironte që të bënte një projekt me gjimnazet shqiptare. Në ato komunikime telefonike, “Klea” i thotë zv.ministres se projekti mbështetej nga Departamenti i Shtetit, nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Zv.Ministrja e Arsimit, Nina Guga (foto e marrë nga profili në rrjete sociale)

Në këto komunikime, “Klea” i ka dërguar Gugës edhe një foto, një figurë femërore, në krah të kryeministrit Edi Rama, duke e bërë më të besueshme se ishte “mbesa e kryeministrit”, siç i ishte prezantuar zv.ministres së Arsimit.

Guga deklaron se e ka përcjellë kërkesën e “Kleas” tek drejtori i projekteve dhe drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Zamira Gjini dhe Shkëlqim Allkaj, me qëllim që këta të vendosnin kontaktet me drejtoritë arsimore në rrethe të ndryshme për idenë e prezantuar nga “Klea Rama”.

Drejtori Allkaj: Nuk e verifikuan “Klean”

Një ndër kërkesat fillestare të “Kleas” drejtuar zv.Ministres Nina Guga ishte koordinimi me Drejtoritë Arsimore Vendore për shpërndarjen e disa formularëve tek gjimnazistët, në kuadër të projektit “Let’s Talk About US”. Detyra e koordinimit iu caktua drejtorit Shkëlqim Allkaj.

Në Prokurori, Allkaj ka deklaruar se ka marrë porosi me e-mail nga Sekretari i Përgjithshëm, Erzen Tola, ku i kërkohej që “të vlerësohet me prioritet”. Pas një shkëmbimi komunikimesh nëpërmjet e-mail, Allkaj deklaron se mori urdhër nga zv.ministrja Guga që “vijoni me komunikimin…”.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Shkëlqim Allkaj, drejtor në Ministrinë e Arsimit

Allkaj thotë se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar asnjëherë ‘Klea Ramën”. Sipas tij, “sa i përket identifikimit të znj.Klea Rama, Jam informuar nga vv.Ministria e cila kishte komunikime me të, si edhe nga Sekretari i Përgjithshëm, se ishte e afërme e Kryeministrit dhe nuk kam qënë në pozita për të kërkuar e verifikuar identitetin e saj, pasi nuk më kërkohej një gjë e tillë”.

Skema zbret në Drejtoritë Arsimore

Pas miratimit të “lejes” nga ana e titullarëve të Ministrisë së Arsimit, një specialiste e këtij institucioni vihet në kontakt me strukturat e varësisë.

Rezarta Alla, Drejtore e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar, ka deklaruar në prokurorinë e Tiranës se është njohur me projektin e “Klea Ramës” në 18 shtator 2023, nga një e-mail i ardhur prej Ministrisë së Arsimit.

Ai e-mail kishte subjekt: “Kërkesë e miratuar nga MAS dhe me porosi të drejtorit Allkaj, drejtorisë së përgjithshme të kordinoj me zonjën Klea Rama”.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Rezarta Alla, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (foto e marrë nga rrjete sociale)

Në përmbajtje të e-mail-it ishte “kërkesa e znj. Rama për plotësim formularësh nga maturantët e të gjitha shkollave për shprejen e interesin për projketin Let’s Talk About US (LTTUAUSA). Projekti synon informimin e maturantëve për studime, por edhe zhvillimin e aktiviteteve me fokus informimin. Ky projekt mbështetet nga Departamenti i Shtetit dhe drejtohet nga zyra DYCD, NY…”.

Rreth 10 ditë më pas, “Klea Rama” u dërgon një tjetër e-mail drejtuesve të lartë të Arsimit, ku i falenderon për shpërndarjen e formularëve në gjimnazet e Shqipërisë. “Klea” e realizoi me sukses fazën e parë të misionit. Skema kaloi në fazën e dytë.

Lamaj: Projekti i mbesës së Edi Ramës

Valentina Lamaj është mësuese anglishteje në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë dhe rezulton “koordinatore” e projektit të “Klea Ramës”. Ajo deklaroi në prokurori se është caktuar në këtë pozicion nga drejtoresha e shkollës, Klotilda Jaupi.

Sipas drejtoreshës, “këtë projekt e inicionte mbesa e Kryeministrit dhe do të përzgjidheshin kordinatorët për çdo shkollë. Qëllimi i projektit ishte për të dërguar për udhëtim nxënës në SHBA. Nxënësit pjesëmarrës do të ishin maturantë dhe me mesatare mbi 8”.

Lamaj deklaron se u ngrit rrjeti i mësuesve koordinatorë në të gjithë gjimnazet e Tiranës. Para festës së Vitit të Ri 2023 u është kërkuar nxënësve pjesëmarrës në projekt që të krijonin tre tema të ndryshme. Ata do të konkuronin fillimisht brenda shkollës dhe më tej mes shkollave të tjera.

Vlerësimi i projekteve të përgatitur nga nxënësit u krye nga një komision prej 7 anëtarësh, si edhe të pranishëm kanë qenë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, zyrave vendore, drejtorë shkollash, e të tjerë.

Mësuese Lamaj vijon më tej, duke deklaruar se: “Janë përzgjedhur projektet fituese rreth muajit Shkurt 2024, ku shkolla e saj doli e para dhe në vendin e dytë dhe të tretë doli shkolla “16 shtatori“ në Shijak. Të gjitha këto aktivitetet janë shpërndarë edhe nga shkollat në faqet e tyre”.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Pjesë nga komunikimet e “Klea Rama” me drejtorë të zyrave arsimore vendore

Pas mbarimit të vlerësimit të projektit, “Klea” u ka dërguar çertifikata mësuseve që ishin pjesë e komisionit të vlerësimit dhe rivlerësimit. Këto çertifikata gjithesecili i ka marre çdo mësues. “Nuk kujtoj nëse nxënësve fitues i janë dhënë çertifikata, por di vetëm se është bërë një festë nga Drejtoresha e shkollës dhe ky event është publikuar në faqen e internetit”, thotë më tej Valentina Lamaj.

Gjurmë kudo, zero fytyrë

Për më shumë se një vit, “Klea Rama”, emri i vërtetë i të cilit u zbulua se ishte Ermes Hoxhalli, u tall dhe tërhoqi për hundësh të gjithë sistemin arsimor. Çertifikatat me emrin e “Kleas”, të shoqëruara me nënshkrimin e zyrtares së ambasadës amerikane, Amanda R., tashmë gjendeshin në thuajse të gjithë gjimnazet e Shqipërisë.

Diku nga fundi i Shkurtit 2024, gjatë një takimi rutinor me Zyrën Arsimore të Vlorës, shërbimet e ambasadës vihen në dijeni për këtë projekt dhe për përdorimin e kredencialeve të zyrtares amerikane. Këtu nis “furtuna”. Amanda kallëzon në Prokurorinë e Tiranës falsifikimin e firmës së saj.

Prokuroria nis hetimin, por fillimisht situata ishte disi “në ajër”. Asnjë prej aktorëve të përfshirë në projektin “Let’s Talk About US 2023-2024”, që nga titullarët e Ministrisë së Arsimit e deri në strukturat vartëse në rrethe, nuk e njihte “Klea Ramën”.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Këngëtarja Gracie Adams, foto e të cilës gjendej në profilin e “Klea Rama”

Askush nuk e kishte takuar personalisht. Gjithçka ishte zhvilluar nëpërmjet komunikimeve me aplikacionin “whatsapp” dhe me rrjete sociale, në të cilat “Klea” përdorte në profilin “e saj” foton e këngëtares së njohur ndërkombëtare, Gracie Abrams.

Gabimi i “Kleas”

Ndërkohë që prokurorja Eloida Goxhi kishte nisur serinë e pyetjeve të zyrtarëve arsimorë për të identifikuar personin që kishte ngritur skemën e falsifikimit, në adresë të drejtoreshës së Zyrës Arsimore të Lezhës, Antoneta Suta, një person, i identifikuar si Ermes Hoxhalli, dorëzon kërkesën për një projekt artistik.

Ai e prezanton veten si student i vitit të parë në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe se kontaktin e drejtoreshës ia kishte dhënë një mikesha e tij, “Klea Rama”.

Sinjalet e hetimit u ndezën. Ermes Hoxhalli rezultonte personi i parë që mund të identifikonte “Klea Ramën”.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Pjesë nga komunikimet e “Klea Rama” me zyrtarë arsimorë

Hoxhalli u mor në pyetje në Prokurorinë e Tiranës dhe deklaroi se nuk e njihte “Klean”, por kishte pasur kontakte telefonike dhe në rrjete sociale me të. Ermesi 21-vjeçar deklaroi se, duke pasur disa aftësi të mira teknologjike, kishte kryer disa shërbime për “Klean”, kryesisht në përpunim fotosh, hartim çertifikatash, e të tjerë.

Prokuroria nuk u bind shumë nga këto deklarime dhe urdhëroi ekspertimin e pajisjeve elektronike të Hoxhallit, dy telefona dhe një lap-top.

Dosja hetimore/ Si u vu në dispozicion i gjithë sistemi arsimor

Në foto: Ermes Hoxhalli, alias “Klea Rama”

Ekspertiza zbuloi një “thesar” për hetimin. Në telefonat e djaloshit u gjendësh shumë të mëdha, foto e materiale, të cilat, sipas prokurorisë, provuan katërcipërisht se Ermes Hoxhalli ishte “Klea Rama”.

Hoxhalli i ka mohuar akuzat e prokurorisë, duke deklaruar se ai thjesht ka qenë në shërbim të “Klea Ramës”. Megjithatë, shumë të dhëna duket se e lidhin atë plotësisht me identitetin e rremë “Klea Rama, mbesa e kryeministrit Edi Rama”. /Boldnews.al