Festivali ‘Sunny Hill’ është mbajtur në Tiranë për tre ditë rrjesht, ku performuan 40 artistë shqiptarë dhe të huaj, nga Dafina Zeqiri, Ledr Vula, Mc Kresha, Lurical Son, Elgit Doda, Asgjë Sikur Dielli, Dren Abazi, Capital T, e artistët e huaj Fedez, Action Bronson, Tananai, Stormzy, si edhe DJ me famë botërore Afrojack, Hardwell, DJ Regard. Festivali ishte i mbushur plot me njerëz vendas dhe të huaj.
Por, qershia mbi tortë e cila ishte dhe organizatorja e këtij festivali, këngëtarja Dua Lipa mungoi. Babai i saj, Dukagjin Lipa, dhe themelues i ‘Sunny Hill Festival’ ka shpjeguar arsyen e mungesës së Dua Lipës. Ai në një intervistë për ‘Jo vetëm Modë’ tha se ky festival mund të rikthehet traditë në Tiranë ashtu si në Prishtinë.
“Ideja në fillim ka qenë ndoshta që kjo të ndodhë. Domethënë prej vitit 2016 kur kemi filluar me festivalin në Prishtinë, në qoftë se ju kujtohet ka qenë një në Prishtinë, ka qenë një në Tiranë. Mirëpo ka qenë e pamundur në atë kohë logjikisht për ta bërë atë punë ndërsa tani është situatë tjetër, kemi mundësi tjetër kështu që është kënaqësi të bësh dy festivale në dy kryeqytetet e shqiptarëve. Action Bronson ka qenë një prej artistëve të cilin unë e kam pasur dëshirë që ai të vinte në Tiranë, unë e kam pasur mysafir Action Bronson në vitin 2018 në Prishtinë dhe ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të, më së pari që të vizitojë vendin e vet sepse babain e ka nga Kosova, nënën e ka amerikane, por ne si shqiptarë e ndiejmë veten në shtëpi edhe në Tiranë, edhe kudo në Shqipëri, kështu që kam pasur qejf që hera e parë në Tiranë të jetë Action Bronson si përfaqësues i hip hopit. Dua ishte në Prishtinë, ka qenë ndoshta, mos të them informatë e gabuar, por ajo nuk mund të ishte këtu, datat e limituara, nuk mund të ishte në dy vende. Tirana është këtu, nuk po shkon askund, do ta bëjmë prapë. Po shpresojmë ta shohim shpejt”, tha Dukagjin Lipa.