Ky është momenti kur i vendoset eksplozivi një biznesi në Shkodër.

Në videon e kamerave të sigurisë shihet se dy persona afrohen dhe në trotuar bëjnë gati lëndën plasëse duke e ndezur.

Sipas policisë eksplozivi është prodhuar në mënyrë artizanale.

Përballë lokalit autorët e ndezin dhe me të në dorë shkojnë në drejtim të biznesit.

Pronari i lokalit ka qenë në gjumë dhe nuk ka dalluar asgjë. Kur është zgjuar rreth orës 5 ka parë dhe dëmet e shkaktuara nga shpërdhimi.

Ndërkohë, ai pohoi se nuk ka konflikte me asnjë person dhe se nuk e di se kush mund t’ia ketë vënë tritolin, ndërsa lënda plasëse dyshohet se ka qenë një paralajmërim për të.

Në njoftimin zyrtar, policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:50 të mëngjesit të sotëm. Shtetasi Fran Kolbuçaj, 65 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër ka njoftuar se kur ka shkuar për të hapur biznesin e tij (bar-kafe), ka konstatuar të thyer xhamin e derës të këtij biznesi.

Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor, dyshohet se para derës së këtij lokali, është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse (amonit malor i prodhuar në mënyrë artizanale).

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën në vendngjarje me qëllim zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve.