Artikuj që reklamojnë kura ‘çudibërëse’ natyrale që zëvendësojnë kura të provuara shkencërisht lulëzojnë në rrjetet sociale shqipfolëse.

Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se këto mjekime janë të pabazuara në studime shkencore dhe nuk duhet të përdoren në vend të mjekimeve të këshilluara nga profesionistët e mjekësisë.

—————————–

Një artikull në portalin onlineneës5.com mban titullin “Hani vetëm dy lugë gjelle në mëngjes dhe në mbrëmje : Ky eshte produkti i vetem qe perdoret per trajtimin e Tiroides”.

Përzierja që përshkruhet në brendi të tekstit përbëhet nga arra dhe mjaltë.

Megjithëse kjo nuk shpjegohet në tekst, koncepti i kësaj përzierje me gjasa është rritja e nivelit të jodit në trup, duke qenë se arrat përmbajnë jod. Ajo duket se e ka origjinën në mjekësinë popullore.

Megjithatë, artikulli nuk citon asnjë studim shkencor që provon efektivitetin e kësaj përbërjeje.

Ndërkohë, ërzierja e sipërme drejtohet nga qëllimi për të zëvëndësuar jodin e munguar në trup. Në raste kur sëmundjet e gjendrës tiroide shkaktojnë mbiprodhim të jodit, kjo metodë nuk do të ishte e logjikshme, e mund të ishte dhe e dëmshme.

Edhe në këtë rast, këshilla më e mirë mbetet ajo për t’iu drejtuar mjekëve profesionistë për çdo shqetësim që mund të haset si dhe të mos braktisen mjekimet e provuara shkencërisht për këshillat e ofruara falas në internet.

“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme për kura natyrale çudibërëse të publikuara në këtë portal. /Faktoje.al