Koka e një prej karteleve më të mëdhenj dhe më aktiv në botë, “Sinaloa”, është arrestuar dhe ndodhet në duart e autoriteteve amerikane, raportojnë mediat e huaja.
Ismael “El Mayo” Zambada, bosi meksikan i drogës, dhe bashkëthemelues i kartelit Sinaloa, është arrestuar në El Paso të Teksasit, pas një operacioni të befasishëm të DEA-s amerikane.
Së bashku me të, raportohet se është arrestuar edhe djali i Joaquín “El Chapo” Guzmán, Joaquin Guzman Lopez.
“Departamenti i Drejtësisë ka arrestuar dy liderë të tjerë të dyshuar të kartelit Sinaloa, një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë”, thuhet në një deklaratë të Departamentit amerikan të Drjetësisë.
Kjo është hera e parë që “El Mayo” bie në duart e autoriteteve që prej kohës kur u shpall në kërkim shumë vite më parë, i listuar ndër 37 bosët e drogës më të kërkuar të Meksikës.
FBI-ja e kishte atë në listën e personave më të kërkuar, dhe për “kokën e tij” kishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarë. Ai akuzohet nga SHBA për prodhimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të fentanilit, një drogë më e fortë se heroina, shkaktare e krizës së opioidëve në SHBA.
Kush është Ismael Mario Zambada García, i njohur me pseudonimin “El Mayo”
I lindur në Sinaloa, Meksikë, Zambada e ka nisur karrierën e tij ilegale në drogë që në adoleshencë, kur punonte ngushtë me kartelet Juárez dhe Carrillo, ndërkohë që mbante lidhje edhe me furnizuesit e kokainës nga Kolumbia.
Në vitin 1989 organizata e tij u nda në dy pjesë pas arrestimit të liderit të atëhershëm, në kartelin Tijuana ku ishin pjesë nipërit e tij, dhe në kartelin Sinaloa që drejtohej prej tij, Hector Luis Palma Salazar dhe Joaquín Guzmán Loera (El Chapo).
Në vitin 2006, kur presidenti meksikan Felipe Calderon nisi ofensivën më të madhe ndaj karteleve të drogës, presioni më i madh ra ndaj kartelit Tijuana, raporon voxnews.al. “El Mayo” dhe “El Chapo” e shfrytëzuan këtë mundësi për të goditur degët e kartelit Tijuana teksa zgjeruan territorin e kartelit Sinaloa deri në veri të Meksikës, duke bërë që vendi të zhytej në një luftë totale.
Në vitin 2011, Zambada dyshohet se kreu një operacion plastik duke ndryshuar plotësisht pamjen e tij të jashtme. Ai mori kontrollin e plotë të kartelit Sinaloa në vitin 2016, kur u arrestua “El Chapo”.
Zambada është baba i të paktën 8 fëmijëve, katër djem dhe katër vajza. Ai është 76-vjeç dhe mendohet se vuan nga diabeti.
Karteli Sinaloa është një prej sindikatave më të mëdha të tafikut të kokainës dhe pastrimit të parave në mbarë botën. Ky kartel prej viteve 1980 ka lëvizur qindra-mijëra tonelata kokainë drejt SHBA-ve, Europës dhe pjesë të tjera të botës përmes avionëve, anijeve, nëndetëseve dhe tuneleve.
Deri në vitin 2021 Sinaloa ka qenë në aleancë me Gulf Cartel (Kartelin e Gjirit), por tashmë është në luftë të ashpër me Kartelin “Jalisco New Generation”. Sinaloa ka lidhje me organizata mafioze në shumë vende të botës, duke përfshirë edhe Shqipërinë, ku është përfolur për operacione të pastrimit të parave.