Katër pushues nga Kosova kanë pësuar djegie pasi një bidon me 28 litra benzinë ka shpërthyer teksa ishin duke lundruar me skaf në Himarë.
Policia thotë se dëmtime ka marrë edhe drejtuesi i skafit, 32-vjeçari nga Vlora me inicialet N.L
Për fat të mirë, të gjithë të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën dhe kanë lënë spitalin pas mjekimit.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:30, në zonën e Drimadhës, Himarë, në një mjet lundrues skaf në pronësi të një kompanie turistike, që sapo kishte dalë në det nga korridori ujor i miratuar, dyshohet se si pasojë e vakumit dhe nxehtësisë, ka shpërthyer një bidon me 28 litra benzinë.
Nga sprucimi i benzinës kanë pësuar djegie të lehta shtetasit A. K., 24 vjeç, A. H., 24 vjeç, L. S. 24 vjeç dhe M. K., 21 vjeçe, të katërt nga Kosova, si dhe drejtuesi i skafit, shtetasi N. L., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Të pestë këta shtetas kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë larguar pasi dëmtimet ishin të lehta.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të shkakut të përfshirjes nga zjarri, të mjetit turistik.