Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane Giorgia Meloni kanë diskutuar, ndër të tjera, për mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri.

Është gazeta italiane “Quotidiano“, që zbardh detaje nga diskutimet joformale mes Ramës dhe Melonit, gjatë vizitës së kësaj të fundit në Vlorë.

Sipas gazetës italiane, Rama e Meloni kanë diskutuar për çështjet politike mes dy vendeve, sipërmarrjet, emigracionin, luftën në ukrainë si dhe hipotezën e ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri.

“Për më tepër, çështjet politike që prekin dy brigjet e Adriatikut, nga prania (masive, deri tani) e sipërmarrësve italianë te emigracioni, nga lufta në Ukrainë e deri te e ardhmja shqiptare në BE nuk munguan. Në tryezën e një bisede joformale, temat e nxehta të energjisë dhe marrëdhënieve mes BE-së dhe vendeve të zonës ballkanike. Çështja e gazsjellësit nënujor të Adriatikut, hipoteza e ndërtimit të një centrali bërthamor në territorin shqiptar dhe vlerësimi i bumit turistik që solli qindra mijëra italianë në ish-bastionin e komunizmit”, shkruan gazeta italiane.

Shtetet e fuqishme perëndimore i janë kthyer idesë së energjisë atomike, pas krizës që solli në sektorin energjitik pushtimi i Ukrainës. Ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri, ndonëse ngjan më tepër si një fantazi, do të mund të realizohej vetëm me asistencë, thuajse 100% të të huajve.