Këngëtarja Barbara Dini ka bërë dedikimin prekës në 6 vjetorin e vdekjes së vëllait të saj dhe njëkohësisht këngëtarit të mirënjohur Ergi Dini, ngjarje e cila ka tronditur jo pak opinionin publik.

Këngëtarja ashtu si çdo vit, edhe sot ka bërë një dedikim shumë të ndjerë kushtuar vëllait që nuk ndodhet më pranë saj.

Nëse do më pyesnin cila është dita më e keqe e jetës time, do thoja është pikërisht kjo datë! Dita kur ti ike nga kjo jetë, padrejtësisht! Kanë kaluar 6 vite, kur e mendoj më duket si dje sepse dhimbja është çdo ditë e njejtë, aty, dhe vetëm shtohet! Nga ana tjetër kanë kaluar 6 vite dhe më duken sikur kam 600 vite mbi supe! Dhimbje, mall dhe boshllëk pafund! Ikja jote është ajo gjë për të cilën nuk gjeta, as nuk do gjej dot kurrë ngushëllim dhe kjo ma bën shpirtin copash çdo ditë! Sa gjëra do të doja të ndaja me ty…nuk kam fjalë, nuk di ta përshkruaj çfarë ndjej, vetëm di që është gjëja më e vështirë që njeriu mund të provojë! Pusho në paqe ëngjëlli im, brenga ime më e madhe! Je aty në çdo mendim timin, çdo mëngjes kur zgjohem dhe çdo mbrëmje kur shtrihem të fle!”- shkroi këngëtarja.

Ergi Dini, këngëtari i njohur aso kohe ndërroi jetë 6 vite më parë nga një aksident me motor, bashkë me shokun e tij i cili gjithashtu nuk mundi të mbijetonte. Që prej asaj dite, motra e tij Barabara Dini shpeshherë e kujton të vëllanë me postimet e ndjera që bën në rrjetet sociale.