Juristja Nertila Haxhia, vajza e xhaxhait të Edmond Haxhisë i akuzuar si financuesi dhe porositësi i vrasjes së Ardian Nikulajt tha në një intervistë për “Drejt” se e ka pasur të nevojshme të jetë bashkëpunëtore e drejtësisë, por se kjo nuk i është mundësuar.
Ajo deklaroi madje se e ka takuar dhe vajzën që zbërtheu grupin, pasi ajo ka dhënë dëshminë.
“Kam pasur nevojë të jem bashkëpunëtore e hapur e drejtësisë. E kam takuar të penduarën pasi është marrë në pyetje. Nuk mund të them më shumë se i rrezikoj jetën qyqes. Kur thashë më mirë të ishte në burg është që ti mbrohet jeta. Dua që kjo ngjarje të zbardhet (vrasja e Ardian Nikulaj). I kam thënë policisë a mund të bashkëpunoj me ta. U kam thënë se po na hapen konflikte të reja. Ju çoj unë ku janë ata vetëm respektoni privatësinë e hetimit, mos nxirrni gjëra jashtë. Nuk dija çfarë të bëja, nuk më priste as policia dhe as prokuroria. Iu luta për dy ditë. Tani kam frikë se dëshmia ime mund të ekspozohet jashtë”.
Ajo lexoi në studion e emisionit edhe mesazhin që i ka dërguar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
“Shpresoj që ministri Manja me deklaratën që ka dhënë sot të ketë marrë parasysh mesazhin që ka marrë prej meje dhe përfaqësuesit tim ligjor. I kam shkruar: “Zoti Ministër përshëndetje, quhem Nertila Haxhia. Familja ime mendoj se është në rrezik për jetën. Ju lutem më ndihmoni. Kam dashur të flas në policinë e Lezhës, në prokurori lidhur me vrasjen në Shëngjin të ndodhur 2-3 ditë rresht. Kam pritur dy ditë rresht disa orë dhe nuk më takoi askush. Ju përgjërohem, të paktën më ndihmoni të shpëtoj familjen. Në policinë e Lezhës dhe prokurori nuk shkoj më kurrë të flas. Do të hesht përgjithmonë se ju luta për dy ditë, nuk kam më besim. Kam qarë në komisariat, kam dhjetëra burra dëshmitarë. Kam kamera ku jam lutur për shumë orë të flas. Nëse nuk ju takoj ju unë largohem familjarisht, bashkë me fisin Haxhia të pafajshëm, nuk kanë asnjë konflikt me familjen Nikulaj. Duhet të parandalojmë lindjen e një hasmërie të re që po paralajmërohet. Ju përgjërohem më prisni”.
Sipas saj nëse njerëzit apo institucionet duan të manipulojnë situata kanë forma të ndryshme.