Me dhjetëra qytetarë janë mbledhur para kryeministrisë për të protestur kundër rritjes së çmimeve.
Protesta është organizuar nga qytetarët me vullnet të lirë dhe shoqëria civile për rritjen e çmimit të bukës, por edhe të ushqimeve të shportës e karburanteve.
I pranishëm është edhe aktori i njohur Florjan Binaj, aktori që imiton në “Portokalli” kryeministrin Edi Rama. Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të ngrenë zërin.
“Shumë nuk kanë mundësi të rrisin një fëmijë. Bravo ju që kemi ardhur, edhe më shumë duhet të jemi“, tha Binaj.
Teksa theksoi se në këtë bulevard duhet të ishin më shumë qytetarë, Binaj ironizoi Ramën.
“Jemi të gjithë këtu për atë pabarazi. Kur është qeveria këtu? Jemi për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundësi që të rrisin fëmijët. Bravo të gjithëve që jeni këtu. Dhe më shumë duhet të jemi. Nuk hamë të gjithë te Nusreti”, tha Binaj, ndërkohë që në dorë mbante një pankartë me mbishkrimin ‘Nusr-Edi jetesa’, shoqëruar me një fotomontazh ku shihej kryeministri Rama, të cilin e himiton shpesh herë në rolet e tij.
Qytetarët kanë zgjedhur të protestojnë me bukë në duar në shenjë protestë kundër rritjes së çmimit të saj.