Mbrëmjen e djeshme në media qarkulluan pamjet e momenteve kur policia shoqëroi disa protestues, disa prej të cilëve me forcë në furgon për t’i dërguar në komisariat për bllokim të qarkullimit, por mëngjesin e sotëm raporton vetëm për 6 të proceduar në gjendje të lirë.

“Penguan qarkullimin e mjeteve të transportit, dhe prishën rendin dhe qetësinë publike gjatë protestës së ditës së djeshme, procedohen penalisht 6 shtetas. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 11 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, proceduan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

– E. D., 33 vjeç, R. R., 25 vjeç, B. M., 19 vjeç, L. Xh., 29 vjeç, A. S., 30 vjeç dhe B. M., 20 vjeç. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së datës 11 mars 2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit” mbyllet njoftimi.