Buxheti i vitit 2024 kaloi në një miratim 5 minutësh në Kuvend. Opozita mes flakadanëve as që e mori në konsideratë të merrej seriozisht me aktin më të rëndësishëm ekonomik për vendin vitin që vjen pas. Gjatë kësaj kohe mediat kanë zbërthyer zërat e projekbuxhetit, kush financohet apo kush merr më pak nga sektorët. Por ndikimi në shoqëri megjithë shqetësimin e ngritur për atë çfarë na pret në vitin 2024, ka qenë thuajse i pakonsiderueshëm. Më shumë janë dëgjuar propagandat politike të mazhorancës drejtuese në rrjetë sociale, se sa në të vërtetë çfarë përmban ky projekt që në mënyrë të drehtpërdrejtë do të hyjë në xhepat tanë.

Ajo që është cekur më shumë janë kontratat koncensionare, që realisht edhe pse pjesa më e madhe janë në hetim për mënyrën si po thithin parà nga buxheti, mbeten aktive të gjitha madje duke marrë të ardhurat më të larta nga buxheti dhe për vitin 2024.

Çfarë do të ndodhë më këto kontrata?

Të copëzuara apo si një e tërë janë sjellë në vëmendje sa herë të gjithë kontratat e vitit 2024.

Të ndarë sipas sektorëve, pjesën më të lartë të pagesave buxhetore e zënë kontratat koncesionare në  sektorin e shëndetësisë me rreth 5.4 miliardë lekë apo 38% e pagesave buxhetore të planifikuara për koncesione/PPP për vitin 2024.

Kontratat në sektorin e transportit rrugor me rreth 5.2 milionë lekë apo 36% të pagesave totale buxhetore. Ndërkohë për sektorin e kontrollit fiskal (kontrata e skanimit të automjeteve) janë planifikuar rreth 12% të pagesave buxhetore në vlerën 1.6 miliardë lekë, ndjekur nga pagesat në sektorin e menaxhimit të mbetjeve në vlerën 1.2 miliardë lekë, dhe sektori i Zhvillimit Urban në vlerën 745 milionë lekë.

Pesha totale e të gjitha kontratave koncesionare dhe PPP në Produktin e Brendshëm Bruto vlerësohet rreth 30.6% për vitin 2024.

Vlera totale e planifikuar për tu paguar nga Buxheti i Shtetit  për kontratat koncesionare apo PPP me mbështetje buxhetore është 14,3 miliardë Lekë apo rreth 136,2 milionë Euro. Kjo vlerë është për 11 kontratat koncesionare apo PPP të cilat janë aktive, pasi për 3 kontrata me mbështetje buxhetore të cilat janë cilësuar si jo-aktive nuk ka parashikime buxhetore për këtë vit.

Të gjithë kontratat koncesionare të vitit 2024

Edhe një herë për koncesionet...Cilat janë kontratat që

 

Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit, me zbatues shoqërinë Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k. Me vendimin nr.134, datë 28.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k janë vendosur në masë sigurimi pasuror “sekuestro preventive”, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme, në pronësi të tyre dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit, me shoqëri zbatuese Albtek Energy sh.p.k. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka në administrim Shoqërinë “AlbTek Energy” sh.p.k, sekuestruar me vendim nr.484 datë 13.12.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu po ti referohemi raporteve vjetore të Entit Rregullator të Energjisë vetëm në vitin 2020 rezulton të jenë prodhuar  2,763,300 KW energji, nga ky Incenerator, ndërkohë për vitet e tjera të mëvonshme nuk rezulton të ketë prodhim, pavarësisht se impianti është ndërtuar.

Projektim-Ndërtim-Financim dhe Mirëmbajtje e segmentit rrugor Milot- Balldren me shoqëri zbatuese Bardh Konstruksion sh.p.k. Në Raportin e MFE-së për vitin 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktues  ka njoftuar shoqërinë “Bardh Konstruksion” sh.p.k.,  për zgjidhjen e kontratës së koncesionit si rezultat i mos përmbushjes së kushteve të kontratës së koncesionit/PPP nga ana e Shoqërisë Koncesionare dhe Koncesionarit, të parashikuara ne nenin 7 “Mos përmbushja e Kushteve Paraprake” si dhe ne pikën 4.2 të nenit 21 “Përmbyllja Financiare”. Për këtë kontratë janë paguar nga Buxheti i Shtetit 3.1 milionë Lekë për vitin buxhetor 2021.

Kontratat aktive

Sa i përket 11 kontratave të tjera aktive, peshën më të madhe në pagesat buxhetore e zë kontrata e Ndërtimit, Operimit dhe Mirëmbajtjes së Rrugës së Arbrit me shoqëri zbatimi Gjoka 87 sh.p.k. Për vitin 2024 për këtë koncesion është planifikuar të paguhet vlera prej  3.5  miliardë lekë nga Buxheti i Shtetit, duke zënë kështu rreth 25% të totalit të pagesave buxhetore të planifikuara për koncesionet PPP me mbështetje buxhetore.

Kontrata e dytë me peshën më të lartë në buxhetin e shtetit të planifikuar për vitin 2024 është kontrata e koncesionit PPP për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore me shoqëri zbatimi Laboratory Networks sh.p.k. Për këtë kontratë janë parashikuar të likuidohen rreth 1.85 miliardë lekë apo rreth 13% e fondit të parashikuar për kontratat PPP me mbështetje buxhetore.

Ndërkohë për kontratën e koncesionit PPP për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikal me shoqëri zbatuese Sani Service sh.p.k. është planifikuar vlera prej 1.75 miliardë lekë apo rreth 12% e pagesave totale të parashikuara për kontratat PPP me mbështetje buxhetore.

Një tjetër kontratë e cila zë një peshë të konsiderueshme në pagesat buxhetore të planifikuara për vitin 2024 është kontrata e Koncesionit PPP financimi, ngritja dhe operimi i shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë me shoqëri zbatuese S2 Albania shpk , për të cilën janë llogaritur të likuidohen rreth 1.67 miliardë lekë apo rreth 12% e pagesave totale të parashikuara për kontratat PPP me mbështetje buxhetore. Për këtë kontratë ka patur një ulje të pagesave për vitin 2023 për shkak të rikthimit të skedulit normal të pagesave të realizuara për këtë kontratë. Gjatë vitit 2022, përveç pagesave të përcaktuara vjetore, u kryen edhe pagesa të tjera me këste që buronin nga procesi i ri negocimit të kësaj kontrate në vitin 2021, me qëllim  përballimin e impaktit të pasojave të shkaktuara nga situata e Pandemisë COVID-19.

Ndërkohë për kontratën Koncesionare/PPP ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim të vend depozitimeve ekzistuese Tiranë, me zbatues shoqërinë Integrated Energy BV SPV sh.p.k janë parashikuar të paguhen rreth 1.27 miliardë lekë nga buxheti i Shtetit, me një rritje me rreth 19.2% nga viti 2023.

Për kontratën Projektim-Ndërtim-Financim dhe Mirëmbajtje e segmentit rrugor porti i jahteve-Orikum-Dukat shoqëri zbatuese Rruga Llogara Orikum sh.p.k janë planifikuar të likuidohen rreth 976 milionë Lekë për vitin 2024, apo 7% e pagesave totale të planifikuara.

Për dy kontratat e tjera në sektorin e shëndetësisë, konkretisht kontratën e koncesionit PPP për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grup moshat 35-70 vjeç me shoqëri zbatuese 3P Life Logistic sh.p.k, vlera e parashikuar për tu likuiduara është 876 milionë Lekë dhe për kontratën e Koncesionit PPP për ofrimin e shërbimit të hemodializës me shoqëri zbatuese DiaVita sh.p.k, vlera e parashikuar për tu paguar nga buxheti i shtetit është 920 milionë Lekë.

Ndërkohë për  kontratën e koncesionit PPP për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë, me shoqëri zbatuese  Albanian Highway Concession sh.p.k, është planifikuar të likuidohen 738 milionë Lekë për vitin 2024.

Për kontratën e koncesionit PPP për Përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës ‘Për Projektimin, Financimin, Ndërtimin, Mobilimin, Mirëmbajtjen, Mbikëqyrjen dhe Kolaudimin e pesë objekteve arsimore në Zonën Tirana 1 dhe për 4 objektet arsimore në zonën Tirana 4”, janë planifikuar fondet në vlerën 745 milionë Lekë apo rreth 5% e pagesave totale të parashikuara për kontratat me mbështetje buxhetore.

Ndërsa për kontratën Koncesionare PPP Për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e portit të integruar  ‘Triport Vlorë’ me shoqëri zbatuese Vlora Harbor Construction and Maintanace nuk ka pagesa të planifikuara. Sipas Nenit 28 të Kontratës së Koncesionit, burimi i të ardhurave të koncesionarit do të sigurohet nga të ardhurat e Buxhetit të Shtetit, në formën  e pagesave të disponueshmërisë, në vlerën 59,290,537 Euro gjatë gjithë kohëzgjatjes. Këto pagesa disponueshmërie do të fillojnë të paguhen nga Buxheti i Shtetit pas ndërtimit të plotë dhe dorëzimit përfundimtar të objektit. Për këtë arsye nuk ka ende parashikim të vlerës së pagesave nga ana e shtetit në Projektligjin për Buxhetin e Vitit 2024.

Të dhënat janë përmbledhur nga Open Data, marrë nga Projektligji për Buxhetin 2024, të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.