Qeveria shqiptare prokuroi 107 miliardë lekë ose 1 miliardë euro kontrata publike për periudhën 1 janar 2021 deri në qershor 2023 në tendera me vlerë më të madhe se 50 milionë lekë. Nga këto 800 milionë euro, ose 80 për qind u ndanë mes 30 kompanive. Por cilët ishin përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike në këto dy vjet e gjysmë?

Në vendin e parë është një kompani e huaj. Bëhet fjalë për İNTEKAR YAPI LTD. ŞTİ.. Kompania turke fitoi kontratën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë me një vlerë prej 17.03 miliardë lekë ose rreth 160 milionë euro pa tvsh.

Shqiptarja 4-AM e vëllezërve Metaliaj, ka përfituar 7.81 miliardë nga data 1 janar 2021 deri më sot, përmes disa kontratave të mëdha publike, kryesisht në infrastrukturë, ku përfshihen ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2 dhe ai i godinës së Fakultetit të Inxhinierisë.

Salillari, së fundmi i akuzuar nga opozita për përfshirje në blerjen e votave për llogari të qeverisë, është përfituesi i tretë më i madh i kontratave publike. Nga 1 Janari i vitit 2021 deri më sot, kompania Salillari ka përfituar 5.03 miliardë lekë nga buxheti, gjysma e të cilave erdhën vetëm nga kontrata për  “Plotësimin, rakordimin dhe vazhdimin e punimeve Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës, Loti 1.”

2T, një kompani në pronësi të Artan Sakos dhe Dritan Troksit renditet e 4-ta. Përgjatë kësaj kohe, kompani në pronësi të vëllait të kreut të Gardës, ka përfituar rreth 3.6 miliardë lekë nga fondet publike. Kontrata e saj më e madhe është ajo “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”. 2T është një nga kompanitë me rritjen më të rrufeshme për përfitimin e fondeve publike gjatë viteve të fundit.

Përfituesi i 5-të më i madh i fondeve publike është Gjoka Konstruksion me rreth 3.4 miliardë lekë, pjesa më e madhe e të cilave erdhi nga kontrata për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6

LA – OR, e Laert Duros, në dy vitet e fundit ka përfituar rreth 3 miliardë lekë. Kjo kompani bën biznes kryesisht me Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe thuajse e gjitha shuma prej 3 miliardë lekësh ka ardhur pikërisht nga OST.

Lista e 10 kompanive që kanë përfituar më shumë fonde publike vazhdon me Albavia, Alb-Building, G.P.G Coompany dhe Gener 2, të cilat kanë përfituar nga 2.5 deri në 2.8 miliardë secila. Në vendin e 11 renditet kompania e parë jashtë infrastrukturës. Bëhet fjalë për Infosoft Systems e Grigor Jotit, e cila përfiton kontrata publike në fushën e IT-së, kryesisht nga AKSHI. Kjo kompani ka përfituar rreth 2.51 miliardë lekë ose mbi 23 milionë euro gjatë kësaj periudhë nga kontratat e mëdha me shtetin. /oligarkia.al/