Kryeministri Edi Rama iu ka kërkuar drejtuesve të bankave të nivelit të dytë që të përparojnë sa më shpejt me e-comerce, duke eleminuar radhët fizike të qytetarëve dhe sipërmarrësve.

I vetmi sektor që sipas Ramës, nuk mund të ndërhyhet, është ai i kredive, pasi kërkohen një sërë dokumentacionesh nga qytetarët.

Rama tha se bankat do të duhet të bashkëpunojnë me AKSHI në mënyrë që të përqafojnë risitë teknologjike, duke shmangur sipas kryeministrit orë të të tëra në radhë.

Kryeministri u shpreh se niveli i teknologjisë së bankave, është njësoj si ai i fermerëve.

“Unë e di që bankat për fitimin nuk njohin nënë e babë, por jo deri këtu tani. Kam parë kundërhstime dhe kontestime pa lidhje fare, për të përmirësuar teknologjinë tuaj. Bankat e nivelit të dytë, është e pamundur që ne të përballojmë ankesat e qytetarëve, që na thonë se ne duhet të presim me orë në bankë, plus qe duhet të bëjmë edhe pagesa.

Ju jeni njësoj si fermerët, me ndryshimin se ju jeni banka, dhe fermerët janë punëtor të tokës. Fermerët nuk kanë domate virtuale për të shitur, i kanë fizike dhe janë të detyruar që ti shesin fizikisht.

Është shokuese për mua, që të di se niveli teknologjik i bankave është ky që është.

Një i moshuar për shembull duhet të mblidhte 14 dokumente për një pension pleqërie, kishte të bënte me 14 sportele, me 14 fytyra që duhet ti dilnin përballë, dhe llogaria e bërë ishte që i duhej një vit për mbledhjen e dokumenteve, dhe kjo ka vijuar për 20 e kusur vite. Ne i hoqëm këto dhe lamë vetëm tre dokumente, të cilat nuk i duhet as të shkojë ti marrë vetë personi. Nuk na rezulton se ka ngecur puna, është poenguar shteti apo është bërë ndonjë hata.

Kohën e torturës për të dhënë kredira pastaj, është puna juaj, nuk e kemi ne këtë pjesë, më vjen keq që kam fjalë vetëm të këqija sot për bankat, për këtë pjesën e teknologjisë.

Pa AKSHI dhe punën e saj nuk do të kishim bërë ndryshime kaq të mëdha, prandaj duhet ta përdorni dhe ju pa asnjë ngurim, do merrni konsulencë të papaguar. Prapë ju do të dilni me fitim”,  tha Rama.