Edison Memolla i Rrogozhinës thirret në SPAK , tenderat do “t’i hanë kokën”

Kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla është paraqitur ditën e sotme në ambientet e SPAK-ut.

Memolla ka qenë i shoqëruar nga një avokat, teksa ka hyrë në ambientet e SPAK ku besohet se është marrë në pyetje lidhur me disa tendera të Bashkisë së tij.

Dyshohet se në Bashkinë e Rrogozhinës është abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe për firmosje të dëmshpërblimeve mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti.

Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet.

Po ashtu, Memolla akuzohet për korrupsion në zgjedhjet vendore të 14 majit, ndërsa një qytetare e ka denoncuar atë në SPAK për kërcënim gjatë fushatës zgjedhore.

Njëkohësisht me Memollën, SPAK po heton edhe kryebashkiakun socialist të Kamzës, Rakip Suli.