Dosja e SPAK, Redi Molla dhe Mariglen Qato pas hotelit Crowne Plaza , paratë e vjedhura në Tiranë u investuan në Durrës ?
Arrestimi i tre drejtorëve të Bashkisë Tiranë me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, të cilët kishin krijuar një kompani private, të cilës i transferonin shuma kolosale parash nga buxheti i bashkisë është skandali i radhës që ka tronditur vendin.
Sipas SPAK, Mariglen Qato dhe Redi Molla kishin krijuar një kompani private, e cila menaxhohej nga Nestor Muhametllari, përmes së cilës ata gjeneronin shuma të mëdha për veten duke i marrë përmes familjarëve.
Në të paktën një rast, SPAK ka faktuar se si vëllai i Mariglen Qatos ka tërhequr nga banka përmes Muhametllarit dhjetëra milionë lekë nga dividenti i kompanisë.
Gazeta Jonë ka parë dosjen e vënë nga SPAK në dispozicion të gjykatësve të GJKKO për masën e sigurisë, në të cilën prokurorët kanë vërtetuar raste të shumta abuzimi si edhe faktin që si Qato dhe Molla nuk kujdesen shumë për të fshehur pronësinë e kompanisë “5D”. Madje, siç shkruhet e zeza në të bardhë në dosjen e konsultuar nga Gazeta Jonë, Mariglen Qato ka insistuar për punësimin e kryekonomistes së kompanisë, ndërkohë që Redi Molla kujdeset që të menaxhojë sherret mes punonjësve.
Po ashtu, vërehet si ka njëpërplasje mes atyre që punonjësit i konsiderojnë “aksionerët” si dhe drejtuesve të lartë të kompanisë, si Muhametllari, shefja e Financës dhe shefja Juridike. Gazeta Jonë vëren nga komunikimet që ka siguruar SPAK se se punonjësit janë ndarë mes Qatos dhe Mollës dhe mes tyre ka sherre të vazhdueshme.
Ndërkohë, në një rast, njëra nga punonjëset flet me një të njohurin e saj dhe i konfirmon se Redi Molla, Mariglen Qato dhe Nestor Muhametllari janë mbledhur në Durrës te hoteli për të “bërë gjyqin” dhe ndarë gjërat.
Mes të tjerave, punonjësja shkruan se hoteli është i Mollës, Qatos dhe Veliajt. Ky i fundit ka reaguar për BIRN më herët duke mohuar pronësinë mbi këtë hotel.
Siç ka shkruajtur më herët Gazeta Jonë, bëhet fjalë për hotelin “Crowne Plaza” në Durrës, i cili po ndërtohet nga kompania Mediterranean Investment Group, aksioner i së cilës është edhe vetë Redi Molla nga shkurti 2024 përmes kompaisë RESTUR.
Duket se Molla nuk e ka pritur arrestimin nga SPAK pasi vetëm pak javë më parë ka larguar nga administrimi i kompanisë babanë e tij dhe është vendosur vetë. /GazetaJonë